Mënyra më e mirë e Partisë Demokratike për t’u futur në zgjedhjet vendore të 14 majit është përmes koalicionit me Partinë e Lirisë. Kështu deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë.
Berisha shtoi se dalja me kandidatë të pavarur nuk është strategjia e duhur për të grumbulluar vota.
“Në mbledhjen e Kryesisë diskutuam për mënyrën se si do të regjistrojmë kandidatët. Mënyra më e mirë deri tani është ajo e koalicionit. Diskutuam nëse mund të dalim me kandidatë të pavarur por kjo nuk është mënyra e duhur se nuk mbledh vota”, tha Berisha.
Ndërkohë si Berisha dhe aleati i tij, Ilir Meta kanë fajësuar kryeministrin Edi Rama për vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e PD. Berisha u shpreh se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj bëri thirrje për bashkim të demokratëve duke thënë se vendimi nuk duhet të shihet si triumf nga askush.