Ka nisur mbrëmjen e së mërkurës konferenca për mediat e mbajtur nga ish kryeministri Sali Berisha.
Të pranishëm në sallë janë Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Arben Ristani, Oerd Bylykbashi, Aldo Bumçi, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja. Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se do të kthehet si kryeministër i vendit. Në tryezën e tavolinës, Berisha mban 4,200 firmat e mbledhura për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
“Prej më shumë se një muaj mori jetë në një moment kritik të historisë së pluralizmit lëvizja e një grupi deputetësh drejtues qendrorë, lokalë, të PD, anëtarë me qëllimin më madhorë ringritjen e PD, shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmontimin e narko-shtetit, rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe integrimit. Kjo nismë synon rikthimin e pluralizimit në Shqipëri dhe rikthimin e Sali Berishës si kryeministër i ardshëm i Shqipërisë”, ka thënë Berisha në nisje të konferencës për shtyp.