Kreu i PD Sali Berisha do ta mbështesë aksionin opozitar mbi situatën e vështirë ekonomike dhe atë që ai e cilëson korrupsioni qeveritar. Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD në të gjithë vendin, për të akuzuar qeverinë se ka grabitur qytetarët me mekanizmin e bordeve të transparencës.
SALI BERISHA
KRYETAR I PD
“Bordet janë komuniste…vetëm në tre muaj qytetarëve iu janë plaçkitur 340 milionë euro me çmimet që kanë diktuar. Po, qeveria merr 150 lekë më shumë për litër nafte TVSH.”
Kreu i PD Berisha ka akuzuar qeverinë edhe për projektin e Ballkanit të hapur jo vetëm sepse sipas tij është një projekt qe mbështetet nga Rusia.
“Akti më i madh i tradhtisë ndaj kombit shqiptar. Shqiptarët i detyrojnë Albin Kurtit mbrojtjen nga një projekt që vendos hegjemoninë e pastër serbe. Nga një projekt që në vend të sanksionojë bashkëpunimin me kushte të barabarta, bën sanksionimin e Kosovës nga Beogradi.”
Përballë këtij realiteti Berisha u ka bërë apel të gjithë demokratëve të nisin betejën kundër qeverisë Rama.
“Orbita e pakënaqësisë dhe revoltës është shumë e madhe. Detyra jonë është t’i aktivizojmë, t’i tërheqim ata në veprimin tonë. Të bëjmë gjithçka për të vendosur bashkëpunimin me ta.”
Lideri historik i së djathtës deklaroi se situata është më e vështirë se në vitin ‘91, por partia demokratike i ka të gjitha mundësitë për t’u ringritur.
“Kemi 44 mijë luftëtarë, që na u përgjigjën në çdo kohë. Kjo është një pakicë që mund të udhëheq një lëvizje të fuqishme, shpëtimtare për Shqipërinë. Këta 44 mijë luftëtarë kërkojnë në radhë të parë të mobilizohen, kërkohet me çdo kusht ta zgjerojmë frontin.”
Gjatë mbledhjes me krerët e degëve Sali Berisha nuk foli për datën kur do të nisin protestat kundër qeverisë, por ai vetë e ka pranuar se PD do të dalë në rrugë para muajit shtator.