Lufta e brendshme në Partinë Demokratike mes individëve dhe grupeve vijon duke e bërë të vështirë parashikimin se çfarë mund të ndodhë më forcën më të madhe të opozitës në vend.
Anëtari i Kryesisë së PD, Roland Bejko, në një lidhje direke për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” gjykon që kampi blu duhet të riformatohet, me qëllim për të fituar betejën kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, e ardhmja e opozitës është pa Berishën dhe Bashën. Pavarësisht rikthimit të ish-kryeministrit, për Bejkon, Berisha nuk munda ta sjellë kurrë PD-në në pushtet apo të bëhet fitues i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm.
“Opozitën shqiptare do të doja ta shikoja të bashkuar. Të ardhmen e opozitës për të mundur Edi Ramën nuk e shikoj as te Berisha, as te Basha. Të dy janë personalitete që e kanë kaluar kohën e tyre. Më vjen keq që Basha nuk mund ta tejkalonte veten. Më 9 shtator, ishte rast më i mirë që të dëshmonte se ishte një lider i mirë për të udhëhequr PD-në, por dështoi. PD duhet të kthehet në shinat normale dhe të gjejë një drejtues normal dhe ekip kredibël..Nuk ka fare rëndësi forcimi i pozitave të Berishës brenda PD, është e pamjaftueshme që Berisha ta sjellë PD-në në pushtet apo të bëhet fitues i zgjedhjeve lokale vitin e ardhshëm. E para është non grata nga SHBA. Nëse Berisha zgjidhet në krye të PD, SHBA do t’i qëndrojë deklaratës së tyre për shkëputjen e marrë nga SHBA. Atëherë, i bie të jetë një parti e izoluar nga faktori ndërkombëtar. Berisha ka rreth vetes të njëjtën establishment që shqiptarët e votuan me 1 milionë vota kundër në vitin 2013. Në këto kushte, nuk ofron asgjë të re.”