Ish-kryeministri Sali Berisha bëri me dije sot se 4,200 firmat e mbledhura për thirrjen e Këshillit Kombëtar, do t’i dorëzohen Edi Palokës, si kryetar i këtij këshilli.
Berisha tha se vetëm Këshilli i PD ka të drejtë sipas statutit të verifikojë se kush e ka firmosur mandatin, ndërsa premtoi se do të ruhen edhe të dhënat personale e atyre që kanë firmosur.
“Grupi ka vendosur që këto formularë të pluralizmit, t’i depozitojë te kryetari i këshillit kombëtar të PD-së, Edi Paloka. Pse kjo zgjedhje do të thoni ju. Në forumet e PD, për dramën e kësaj partie, i vetmi institucion apo forum i konstituuar është Këshilli Kombëtar. Peng kryetari nuk ka mbledhur as kryesinë. Këshilli Kombëtar është forumi më i lartë pas Kuvendit Kombëtar, dhe ai u konstituua, ka bërë një mbledhje. Për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të këshillit kombëtar. Me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale, pasi formularët këtu kanë jo vetëm gjeneralitetet por edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të identitetit. Verifikimi i mandateve sipas rregullit të çdo kuvendi, bëhet vetëm nga Kuvendi. Vetëm kuvendi ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”