Edhe qarku i Beratit është zbardhur nga dëbora, që ka filluar të bjerë që prej orëve të para të mëngjesit. I gjithë qyteti i Beratit është zgjuar i mbuluar me petkun e bardhë, ndërkohë që raportohen edhe problematika të shkaktuara nga ngricat. Deri tani të gjitha akset nacionale të qarkut janë të kalueshme dhe nuk ka nevojë për zinxhirë.
Ka prezencë akulli në zonën e “Qafës së Sqepurit” në aksin që lidh Beratin me Fierin dhe në zonën Kozare-Belsh të aksit që lidh Kuçovën me Elbasanin.
Në rrugën e fshatit Drobonik në qytetin e Beratit ka pasur rrëzime pishash në rrugë gjatë natës nga stuhia. Pas prerjes dhe pastrimit tē tyre, rruga është e kalueshme. Të bllokuara nga dëbora që prej mëngjesit janë rrugët e fshatrave Potom e Gjerbës në Skrapar,ndërkohë që nuk ka mungesë të energjisë elektrike në asnjë zonë deri në këto momente.