Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon ndryshime kushtetuese.
Në fjalën para demokratëve gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha sulmoi marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Sipas tij, ndryshimet kushtetuese për të cilat u ra dakord asokohe, nuk i shërbejnë më situatës ku ndodhet vendi.
“Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale. Këtë duhet ta bëjmë me dhe për shqiptarët që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike. E kundërta e asaj që sundimi i këtij regjimi përfaqëson, është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në ADN-në e familjes tonë politike.”