Basha: Rama e njeh forcën tonë prandaj kërkon bashkëpunim, ai është hileqar

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Basha: Rama e njeh forcën tonë prandaj kërkon bashkëpunim, ai është hileqar

Lulzim Basha e vijoi fushatën e tij për zgjedhjet në PD duke takuar demokratët e qarkut të Durrësit.

Pavarësisht masakrës zgjedhore, tha Basha mes të tjerash, ne jemi shpresa e vetme për ndryshim dhe për demokraci.

Ai premtoi se me të në krye te selisë blu, do të luftohet me forcë dhe vendosmëri për të rrëzuar këtë regjim të korruptuar.

 

Advertisement

 

25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin. Kjo për shkak të krimit të organizuar, të futur në çdo qelizë të shtetit dhe të aktivizuar e riaktivizuar për herë të dytë në Durrës. Në Durrësin e 339 që akoma mban peng negociatat dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo për shkak të mizorisë, të poshtërsisë, të harbutërisë të një kundërshtari që nuk ka respekt për pluralizmin dhe e konsideron kundërshtarin politik si një armik. Vëllezër dhe motra, më 25 prill ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Është asgjësuar instrumenti i fundit dhe i vetëm i mbetur për rikthimin e legjitimitetit dhe të demokracisë në vend. Një pakicë të korruptuarish, të bërë njësh me një pakicë kriminelësh, i janë mbivendosur vullnetit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që donin ndryshim më 25 prill. Më 25 prill është asgjësuar mekanizmi i vetëm që njeh demokracia. A është kjo demokraci ku nuk respektohet vullneti i shumicës po i mbivendoset dhuna e pakicës? Sigurisht që jo! Në këtë betejë  miqtë e mi, askush prej nesh nuk u fut me detyrim. Askush prej jush nuk u detyrua të futej në këtë betejë. Mund të kishit vendosur të rrinit në shtëpi. Mund të kishit vendosur të iknit jashtë shtetit. Mund të kishit vendosur të rrinit mënjanë. Mund të kishit vendosur, siç vendosi ndokush të shkelnit mbi sakrificat, djersën dhe gjakun e demokratëve dhe të shisnit shpirtin tuaj për të përçarë Partinë Demokratike dhe opozitën. Ju qëndruat jo sepse ju detyroi dikush. Ju zgjodhët të qëndronit në këtë betejë dhe e bëtë këtë betejë pa asnjë instrument tjetër përveç vlerave tona, programit tonë, e bëtë këtë betejë jo për mua dhe karrigen time, as për karriget tuaja, e bëtë këtë betejë për qytetarët durrsakë.

 

 

Advertisement

Basha këmbënguli se PD nga masakra zgjedhore e 25 prillit, del më e madhe në mandate dhe më e fortë moralisht.

 

 

Prandaj ata ju ndoqën si asnjëherë tjetër. Prandaj na ndoqën në të gjithë Shqipërinë si asnjëherë tjetër. Si ka mundësi që në kushtet e një masakre zgjedhore dhe një shteti të bërë njësh me partinë dhe këtu përfshi edhe drejtësinë, si ka mundësi në kushtet kur është shpenzuar disa fish më shumë sesa në 2017-ën, Partia Demokratike të dal nga kjo betejë më e madhe? Më e madhe numerikisht, më e madhe me mandate dhe mbi të gjitha më e madhe moralisht, përgjigjja në bindjen time qëndron tek dy faktorë: faktori i parë është faktori që në këtë betejë dolëm me vlera. Ju përgjigjëm me vlera anti-vlerave dhe modelit të anti-vlerave që kurrkund në Shqipëri nuk është më i thellë dhe më i dukshëm sesa në Durrës, në Durrësin e qytetarisë. Faktori i dytë, është sepse pavarësisht pakënaqësive apo mosmarrëveshjeve që janë normale në çdo familje politike, ju demokratët e Durrësit ditët t’i linit mënjanë ato e të bashkoheshit e të vazhdonit krah më krah betejën në interes të qytetarëve shqiptarë. Këto janë dy faktorët kryesorë se pse masakra jo vetëm nuk na theu, por na bëri më të fortë dhe sepse pas 25 prillit buza e kundërshtarit nuk qesh, sepse është i vetëdijshëm për masakrën, për krimin që ka kryer. Është i vetëdijshëm se nuk ka sjell asnjë zgjidhje, nuk i është përgjigjur asnjë pikëpyetje të para 25 prillit.

Advertisement

 

 

Basha shtoi se oferta e Ramës për bashkëpunim është një hile e kryeministrit.

 

Advertisement

 

Ndaj, i është rikthyer manovrave, dy prej të cilave shquhen. E para, dredhia, hileja e shtrirjes së dorës për gjoja bashkëpunim pa kushte e pa vija të kuqe e me letra të bardha. Tani më nuk ka shqiptarë që nuk e njeh dredhinë dhe mashtrimin si dy vetitë kryesore të Edi Ramës. Po pse e bën pikërisht tani? Sepse e njeh forcën me të cilën kemi dalë nga kjo betejë. Sepse e di që edhe durrsakët e thjesht, edhe shqiptarët e thjesht, shokut dhe tronditjes po i lë vend zemërimi dhe do në këtë mënyrë të zbus e mundësisht të zhduk betejën që e pret. Dhe kjo mund të arrihet duke na bërë pjesëtarë të masakrës, pjesëtarë të vjedhjes, pjesëtarë të krimeve zgjedhore  dhe të tillë do të bëhemi nëse pranojmë bashkëqeverisjen nëse e kapim dorën e shtrirë te hajdutit të vullnetit të shqiptarëve me 25 prill. Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian. Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy