Një ditë pasi miratoi kandidatët për zgjedhjet e pjesshme, Lulzim Basha u ka bërë apel demokratëve të mos votojnë Sali Berishën në 6 mars, pasi vota për kandidatët e Komisionit të Rithemelimit është votë për Ilir Metën.
Basha shfrytëzoi një takim me demokratët në kryeqytet për të theksuar se kryeministri Rama, presidenti Meta dhe lideri historik i së djathtës janë bërë bashkë për të shkatërruar PD.
LULZIM BASHA
KRYETAR I PD
“Voto apo zgjidh, apo mbështet Sali Berishën, ke mbështet Ilir Metën, ke mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe sigurisht të mbash në pushtet Edi Ramën do të thotë të mbash në pushtet të keqen, të mbash në pushtet varfërinë, të mbash në pushtet emigracionin dhe kolapsin total të shërbimeve nga shëndetësia tek arsimi.”
Advertisement
Sipas Bashës, demokratët duhet të jenë të qartë kur të shkojnë para kutive të votimit në 6 mars.
“A do jetë Partia Demokratike partia e demokratëve apo do jete shtëpia e Ilir Metës? Njëri do të mbrohet për hallin e vet, do të fusin kokën për hallin e vet, tjetri do të marrë votat e demokrateve t’i çojë tek Edi Rama. Këto janë dy zgjedhjet, tjerat janë propagandë.”
Advertisement
Shefi i selisë blu u ka premtuar anëtarëve të partisë që drejton se ai nuk do të tërhiqet në betejën kundër mazhorancës socialiste.
“Çfarë rrugësh kemi përpara? Dy rrugë kemi; opozitë ballore, pa kompromis ndaj Edi Ramës dhe e dyta të mbetemi parti e vlerave euroatlantike.”
Advertisement
Në 6 mars, Partia Demokratike do të garojë pa koalicion dhe Lulzim Basha do të përballet në këtë betejë zgjedhore me liderin e mazhorancës Edi Rama dhe liderin historik të së djathtës Sali Berisha, i cili do të hyjë në zgjedhje në një koalicion me LSI e PDK.