Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar SPAK se është nxituar në vendimin e shprehur ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Bardhi nënvizoi në një konferencë për mediat ae SPAK ka shkelur Kushtetutën me vendimin për kufizimin e lirisë së lëvizjes së Berishës, pasi ai ende ka imunitetin e deputetit.
“Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK.
Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor”, tha ai.
Megjithate, Bardhi shton se mbeshtet drejtesine ne rrugen e saj dhe goditjes se parlamentareve.