Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, çmimet e energjisë elektrike nuk do të rriten, ashtu sikurse nuk do të mungojë dhe furnizimi me energji elektrike për të gjithë abonent, pavarësisht krizës që ka krijuar pushtimi rus në Ukrainë.
Duke marrë fjalën sot në seancën e Kuvendit, në përgjigje të akuzave të deputetes së opozitës Jorida Tabaku, ministrja Balluku tha se, “zonja Tabaku flet për energjinë në vitin më të rëndë botëror të fushës energjetike. Sot nuk e mohon askush çmimin e energjisë si nga bursa hungareze të cilës ne i referohemi, si kudo në botë. Pasi çmimi i gazit për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës ka kërcyer në limite historike të larta, e për rrjedhojë çdo prodhim energjetik ka një kosto shumë të lartë”.
Gjithashtu vijoi Balluku për të tretin vit me radhë Shqipëria po kalon një periudhë të thatë, megjithatë, Jorida Tabaku përtej krizës nuk i mohon dot dy gjëra, që i ka bërë qeveria Rama që qeveria e zonjës Tabaku nuk arrite ti bënte.
“E para nuk kemi prekur çmimin e energjisë për abonentët familjar dhe bizneset e vogla ka qëndruar i njëjtë pavarësisht krizës dhe kjo është bërë me subvencion nga qeveria. Së dyti nuk ka pasur asnjë minutë ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të krizës energjetike ashtu siç premtuan në momentin e nisjes së kësaj krize”, deklaroi Balluku.
Ministrja tha se, “ky është ndryshimi mes qeverisë tonë dhe qeverisës së zonjës Tabaku, që flasin dhe bëjnë demagogji në kurriz të shqiptarëve. Ne kemi adresuar çdo problem që prek shqiptarët, do vijojmë ta bëjmë përmes paketave sociale, të rezistencës për të mbështetur të gjithë familjarët të lidhur me sistemin tonë energjetikë, biznesin e vogël dhe atë të mesëm pavarësisht se kemi qenë të detyruar ta nxjerrim në tregun e lirë energjetik. Qeveria do të bëjë më të mirën për qytetarët”.