Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur dy operacionet e fundit policore në Lezhë e Shkodër, kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ministri Balla thekson se operacionet jo vetëm i japin goditje krimit, por edhe rikthejnë besimin qytetar tek strukturat e rendit.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për operacionet anti-drogë në Lezhë dhe Shkodër ku u sekuestruan sasi të mëdha kanabis dhe një numër armësh zjarri. Lufta jonë kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, po merr çdo ditë mbështetje edhe më të madhe nga publiku dhe po rikthen besimin tek Policia”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Në 48 orët e fundit, janë kapur sasi kanabisi e armë, ndërsa në pranga janë vënë disa autorë të dyshuar. Gjithashtu një vëmendje të veçantë Policia po i kushton zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në Shkolla dhe vijimit të megaoperacionit “Tempulli”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.