Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përfundojë me një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke ose në të kundërtën, Kosova do t’i zbatojë të gjitha masat e reciprocitetit me Serbinë.
“Të gjitha pa përjashtim, të gjitha masat që Serbia i drejton nga ne, ne kemi të drejtë dhe do t’i drejtojmë kah Serbia”, ka thënë Hoti pas një takimi me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Megjithatë, Hoti tha se beson që me përfshirjen e “partnerëve ndërkombëtarë që kemi arritur në këtë proces” nuk do të ketë nevojë të që aplikohen këto masa ekstreme, pasi sipas tij, çdo ditë po bëhet progres drejt marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës i bëri këto komente pasi u pyet se si do të veprojë Kosova në raste se Serbia pengon dërgimin e librave shkollorë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilat institucionet e Kosovës parashohin t’i dërgojnë në këtë pjesë të Serbisë gjatë këtij viti.
Dërgimi i librave, por edhe një sërë projektesh tjera janë paraparë në programin e Zyrës për Luginën e Preshevës, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Në kuadër të këtij programi parashihet ndihma për organizatat joqeveritare në Luginën e Preshevës, pastaj ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe projekte tjera, përfshirë edhe një studim për gjendjen sociale dhe ekonomike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj. Më pas, qeveria e ardhshme e Albin Kurtit e hoqi tarifën, por e vendosi masat e reciprocitetit. Serbia kundërshtonte të ulej në tryezë të bisedimeve, derisa Kosova kishte në fuqi masa të tilla.
Më ardhjen ne pushtet, qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti shfuqizoi reciprocitetin, duke mundësuar rifillimin e dialogut në korrik të 2020-ës.
Ka disa muaj që Hoti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk po mbahen për shkak të pandemisë së koronavirusit.
BE- ka thënë se ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.