Autostrada e parë në Malin e Zi ka mbetur pezull. Me 40 ura dhe 90 tunele, ajo ishte parashikuar të ndërtohej me financimin e qeverisë kineze. Që prej nisjes, projekti është karakterizuar nga akuzat për korrupsion, vonesat dhe dëmet mjedisore. Sot, nga 170 kilometrat e planifikuara, vetëm 40 kanë përfunduar.
Autostrada është një nga më të shtrenjtat në botë dhe paratë për të vijnë nga një kredi që Mali i Zi ka marrë nga qeveria kineze.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha problemet e mësipërme, qeveria në Podgoricë duket se e ka të vështirë ta shlyejë kredinë e marrë në vitin 2014, nën qeverinë e Milo Gjukanoviçit.
Para se Mali i Zi dhe Kina të nënshkruanin marrëveshjen, Banka Europiane e Investimeve dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar patën paralajmëruar se kjo ishte një ide e keqe.
Ekonomia malazeze e goditur nga pandemia, tani e ka të pamundur të gjenerojë paratë që do të shlyenin borxhin e marrë në Kinë.
Autostrata është planifikuar të lidhë portin e Barit në jug me kufirin me Serbinë në veri. Kontraktori kinez ka marrë punëtorët e vet, ndërsa nënkontraktorët kanë punësuar punëtorë të paligjshëm nga vendet fqinje, pa kontrata dhe pa sigurime shoqërore.
Shpesh, emri i presidentit aktual, më parë kryeministri që lidhi marrëveshjen, është përfolur për bashkëpunim me nënkontraktorët lokalë. Përveç kredisë së madhe të marrë nga kinezët, 400 milionë euro u janë dhënë edhe nënkontraktorëve. Për projektin janë dhënë pak detaje, duke e cilësuar një pjesë të madhe të tij sekret shtetëror.
Qeveria e re e Malit të Zi, e dalë nga zgjedhjet e vitit të kaluar, duhet të përballet me këtë barrë. Ministri i Jashtëm, Dritan Abazoviç, i ka shpresat te BE-ja.
“Jam më se i sigurt se do të gjejmë ndonjë zgjidhje për financimin nga institucionet evropiane”, është shprehur ai.
Kontrata e kredisë për autostradën ka disa pika të errëta. Kur nënshkroi huanë miliarda dollarë me Kinën, Mali i Zi ra dakord për disa kushte të çuditshme, si heqja dorë nga sovraniteti i pjesëve të caktuara të territorit në rast mosshlyerjeje.
Arbitrazhi në këtë skenar do të ndodhte në Kinë duke përdorur ligjet kineze. Dhe Kina e ka parashikuar këtë mundësi. Disa kanë frikë se Pekini i ka syrin portit të Barit.
Një koncesion afatgjatë i portit do t’i vinte përshtat nismës kineze “Belt and Road”, një projekt global i infrastrukturës për të hyrë në tregje.
Sikur të mos mjaftonin këto, autostrada e menaxhuar nga kinezët akuzohet se dëmton luginën e mbrojtur të lumit Tara. Grupet mjedisore thonë se që tani ka filluar të ndikojë në riprodhimin e peshkut në ujërat e lumit që mbrohet nga UNESCO.
Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, investimet kineze kanë ngadalësuar reformat që kërkon BE-ja. Ambiciet e projektit kinez “Belt&Road” nuk janë gjithmonë në përputhje me standardet e BE-së për qeverisjen e mirë, mbrojtjen e mjedisit, sundimin e ligjit dhe transparencën. Ndikimi i këtij projekti është kthyer në një pykë midis BE-së dhe shteteve të Ballkanit.