Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Ramazan Rrajën, të arrestuar dy ditë më parë në zonën e Fushë-Krujës.
Nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja akuzohet si organizator i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Rraja ka mohuar të jetë i përfshuirë në këtë ngjarje kriminale.
Ai rezultonte i shpallur në kërkim me urdhër të SPAK, ndërsa dyshohej se fshihej në Emiratet e Bashkuara. Por, policia bëri me dije se Rraja nuk është larguar kurrë nga Shqipëria por fshihej në trekëndëshin “Durrës – Lezhë – Tiranë”.
30-vjeçari ishte nën shoqërinë e një tjetër personi të shpallur në kërkim, i identifikuar si shtetasi Louis Konomi alias Elton Llozhi, gjatë arrestimit.
Ky i fundit rezultonte në kërkim nga policia e Elbasanit, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.