Kryeministri Rama iu përgjigj nga foltorja e kuvendit ne seancen maratone, akuzave të Sali berishës në lidhje me takimet që ai ka zhvilluar me ish-drejtuesin e FBI, McGonigal, personazh I cili është aktualisht duke u hetuar në SHBA për shkak të lidhjeve me një oligark rus.
Kreu i qeverisë në nisje të fjalës së tij, mohoi akuzat nga opozita dhe nga Berisha, duke deklaruar se ndaj tij nuk ka asnjë hetim në procesin që po zhvillohet ndaj McGonigal në SHBA.
“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht: Një ish zyrtar i FBI akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Prokurorët sipas tyre kanë pikasur edhe një sërë shkeljes që lidhet me udhëtimet në vendin tonë, ku në akt akuzë thuhet se ai ka ardhur edhe në Shqipëri dhe është takuar me mua,. Aktakuza thotë se ai nuk i ka deklaruar takimet me mua dhe ka marrë edhe para borxh. Në aktakuzë gjithashtu flitet edhe për çështjen e hetimeve të parave ruse në PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç personit. Kaq janë faktet. Por pavarësisht një hetimi të gjatë që unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje përveç raportimit korrekt të takimeve me mua”.
Rama nuk e kurseu ironinë ndaj opozitës, vecanërisht duke iu referuar qëndrimeve të Berishës për revolucion që do të cojë në rrëzimin e kësaj qeverie.
“Fronti i prokurorisë i pranishëm në sallë po zhvillon me hov revolucionar një tjetër proces këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe pse e bëjnë këtë vetëgjyqësi të harbuar, besoj se s’ka shumë nevojë për shpjegime. Dihen e shquhen për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot me dikë tjetër. Janë po ata që i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë që kur ranë në opozitë. Flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, ofendoni, sajoni, fabrikoni, protestoni, hidhuni përpjetë sa të doni por nderin e përballjes me mua bam e bum, njëri gozhdës tjetri patkoit, s’keni për ta pasur. Thojini të tjerëve sa të doni që jam trembur, po të doni mos u shkulni nga revolucionet imagjinare, por mua s’do më keni më palë. Ju jeni në rregull, keni hyrë në vitin e 10-të të rrugës që më keni rrëzuar disa herë”, , deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend, Edi Rama.