Dalin të tjera të dhëna mbi lëvizjen që kanë bërë në vendin tonë katër turistët rusë që gjeten vdekjen në një hotel në Qerret të Kavajës duke bërë sauna. Grupi i turistëve rusë mbërriti të dielën e kaluar Shqipëri.
Më pas ata kanë vizituar disa pika turistike. Prenotimin në hotelin e Qërretit e kanë bërë më herët, ndërkohë akomodimi është bërë ditën e ngjarjes.
Trupat e pajetë të turistëve rusë, sipas burimeve të Prokurorisë së Kavajës, janë gjetur pranë pishinës së brendshme të hotelit. I njëjti burim bënë me dije se viktimat kanë përdorur SPA dhe pishinën. Sipas të njëjtit burim, tre trupa janë gjetur në të njëjtin vend, ndërsa tjetri i veçuar. Mbetet mister shkaku që çoi në humbjen e jetës.
Dyshohet për asfiksi dhe reaksion për shkak të pijeve alkoolike që mund të kenë konsumuar gjatë ditës.
Fjala i fundit, sipas burimit nga prokuroria, i takon Institutit të Mjekësisë Ligjore, që do të hedh dritë mbi shkaqet e vdekjes. Trupat e pajetë ndodhen në morgun në Tiranës. Hetuesit kanë marrë mostra nga pishina dhe SPA, ku do të kryhen një sërë testesh për kushtet e ambienteve.