Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 25 prillit në Shqipëri. Një delegacion shqiptar ishte pjesë e mbledhjes, ku u paraqitën gjetjet e vëzhguesve.
Mes të tjerash, në raportin e hartuar prej tyre procesi elektoral përshkruhet si i qetë dhe transparent. Por aty evidentohen dhe akuzat për blerje votash, për të cilat kërkohet që hetimet të shkojnë deri në fund.
“Në shumicën e qendrave të votimit të vizituara, procesi i votimit ishte përgjithësisht i qetë. Procedurat ishin në përgjithësi të ndjekura, por votuesit ndonjëherë nuk e hiqnin maskën e tyre të fytyrës për qëllim të identifikimit. Masat parandaluese Covid-19 nuk ishin zbatuar mirë, dhe distancimi shoqëror jo gjithmonë i respektuar. Sekreti i votës u respektua. Identifikimi elektronik u krye përgjithësisht sipas procedurave. Megjithatë, sipas KQZ-së, 4% të QV-ve u hapën me vonesë kryesisht për shkak të problemeve me identifikimin elektronik. Në numrin e kufizuar të numërimeve të vëzhguara, procesi ishte kryesisht transparent dhe i qetë. Delegacioni i Asamblesë vuri në dukje se votuesit kishin një zgjedhje të kandidatëve, të cilët ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, nën një kornizë ligjore e cila respekton liritë themelore. Delegacioni i Asamblesë shprehu shqetësimin e tij në lidhje me pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike, të cilat ishin të përhapura gjatë fushatës. Ai vuri në dukje se një numër hetimesh u hapën për këtë çështje. Prandaj, delegacioni i Asamblesë pret që autoritetet përkatëse shqiptare të marrin masat e duhura, rastet të hetohen dhe të ketë informacione për rezultatet në kohën e duhur.”
Si shqetësim serioz, Asambleja e KiE konsideroi edhe databazën me të dhënat personale të qytetarëve që u publikua disa ditë para zgjedhjeve.