Policia Rrugore ka vënë në pranga 11 shoferë, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Mes të arrestuarve janë edhe dy drejtues mjeti, të cilët tentuar të korruptonin punonjësit e policisë.
“1 – Gjatë kontrolleve parandaluese në rrugën “Thoma Goxha”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë konstatuar shtetasin I. H., i cili drejtonte mjetin pa vendosur rripin e sigurimit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, 43-vjeçari I. H. i ka ofruar punonjësit të Policisë, dy kartëmonedha me vlerë 1500 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Nga shërbimet e Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
2 – Gjatë verifikimit të një aksidenti rrugor vetëm me dëme materiale në rrugën “Hamdi Pepo”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë testuar dhe verifikuar se njëri nga drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksidentin rrugor ishte nën ndikimin e alkoolit. Ky drejtues mjeti, për të shmangur masën administrative dhe pezullimin e lejes së drejtimit, i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedhë me prerje 1000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasi I. D., 57 vjeç. “
Nga ana tjetër, janë pezulluar gjithsej 30 leje drejtimi, pasi u kapën në gjendje të dehur, ose drejtonin mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara.
“Në rrugën Maminas – Gjiri i Lalzit, shtetasi S. GJ. po kryente manovra të rrezikshme në rrugë ndërkohë që drejtonte mjetin në gjendje të dehur dhe për pasojë humbi edhe kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga, pasi tentoi të devijonte rrugën, për t’iu shmangur shërbimeve të Policisë. Nga kryerja e alkool testit rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 1.10 mg/l testi i parë dhe 1.05 mg/l testi i dytë.
Policia Rrugore e Sarandës, nisur nga telefonatat e banorëve të një lagjeje se një drejtues mjeti që kishte errësuar edhe xhamin e parë të mjetit sillte shqetësim duke xhiruar gomat gjatë orëve të vona të natës, kanë lokalizuar dhe ndaluar drejtuesin e mjetit, shtetasin K. B., të cilin e kanë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë të rinj, i kanë pezulluar lejen e drejtimit për 1 muaj dhe i kanë hequr qeset me të cilat kishte errësuar xhamat e automjetit.”
Ndërkohë, janë ndëshkuar me gjobë 1678 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor