Nga Xhuliana Toci
Albin Kurti ishtë ndër votuesit e parë në zgjedhjet e 25 prillit, por ishte lideri i fundit që uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren dhe marrjen e mandatit të tretë. Pas një fushate të hidhur të figurave kryesore të Vetëvendosjes dhe qeverisë së Kosovës në Tiranë, kryeministri Kurti vendosi t’i shkruante Ramës urimin në facebook gjatë vizitës në Bruksel, duke theksuar se pritshmëritë e qytetarëve janë që dy liderët të bashkëpunojnë për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën”, i shkruante Kurti kryeministrit, duke uruar të shtonte bashkëveprimin në të gjithë sektorët. Megjithatë, kreu i Vetëvendosjes nuk e fshehu zhgënjimin, duke adresuar edhe deklaratat e kandidatëve të Vetëvendosjes së votat për ta ishin vjedhur dhe duke i kërkuar Ramës, “të sqaronte çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës”. Kjo deklaratë, ashtu si përfshirja e qeverisë së tij në fushatën zgjedhore, ka sipas ekspertëve një shije edhe më të hidhur.
Ndërkohë që përgatitet për mandatin e tretë, kryeministri Rama e gjen veten sot pa asnjë aleat në Prishtinë (Thaçi dhe vesli nodhen në Hagë dhe ish- presidenti i Kosovës e uroi prej andej). Kreu i qeverisë ka marrëdhënie të tensionuara jo vetëm më Kurtin, por edhe me presidentet Vjosa Osmani, e cila në mesazhin e saj për zgjedhjet shmangu plotësisht Ramën, duke uruar PS-në për fitoren dhe PD-në për fushatën zgjedhore. Urimi i ftohte vinte pas një vizite të tensionuar të Osmanit në Tiranë, ku ashtu me Kurti, as Osmani nuk i fshehu përplasjet me kryeministrin.
Këto zhvillme kanë bërë që opinioni publik në Prishtinë të jetë i shqetësuar për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, të cilat ashtu siç e kanë treguar edhe përplasjet e e fundit, nuk kanë sesi t’i shpëtojnë rivalitetit Kurti-Rama. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ka marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e Kosovës, por është hera e parë që ka përplasje edhe me presidenten edhe me kryeministrin.
Në të kaluarën Rama dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj kanë shpërthyer me akuza të ashpra ndaj njëri-tjetrin për raportet mbi ndarjen e Kosovës, por Rama ka pasur në “krahun e tij” ish-presidentin Hashim Thaçi. Ky i fundit i shkruante në një letër të enjten nga Haga kryeministrit Rama që të kujdesej për Kosovësn, por analistët parashikojnë se marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë do të vazhdojnë të mbeten të tensionuara.
Sipas analistit Imer Mushkolajt angazhimi personal, por edhe në nivel qeveritar i kryeministrit Kurti në garën politike në Shqipëri, i cili ka të ngjarë të vazhdojë edhe pse Vetëvendosje ka mbetur jashtë parlamentit, do të rrezikojë raportet mes dyshes Osmani-Kurti dhe kryeministrit Rama gjatë mandatit të tretë. Boiken Abazi, shef i Vetëvendosjes në Shqipëri, pati përkrahje të madhe nga shefi i Qeverisë së Kosovës, i cili foli të dielën nga Tirana për një rezultat në favor të VV-së.
“Nuk është e lehtë për kryeministrin e Shqipërisë, kush do që të ishte ai, të bashkëpunojë në aspektin bilateral me një politikan i cili jo vetëm udhëheq një shtet tjetër, por është edhe rivali i tij politik”, thotë Mushkolaj për Gazetën Si. “Edhe sikur të linin pas krahëve të gjitha përplasjet e së kaluarës, pjesëmarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, do të bllokojë përpjekjet për planifikim të përbashkët strategjik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, shton ai.
Kurti dhe Rama, dikur aleatë, miq dhe bashkëpunëtorë, duket se nuk po e gjejnë prej kohësh gjuhën e përbashkët. Dy kryeministrat kanë vazhduar herë pas here replika në distancë me Edi Ramën duke bërë të ditur publikisht se nuk pajtoheshin për shumë tema. Ata janë përplasur hapur përket Mini-Shengenit ballkanik, me kryeministrin Kurti që hodhi poshtë ultimatumin e Ramës për të t’iu bashkuar kësaj nisme. Po ashtu Rama dhe Kurti u përplasën ashpër edhe gjatë protestave të studentëve në Tiranë, kur lëvizja Vetëvendosje u ngrit për herë të parë në Tiranë, me Ramën që ka akuzuar Kurtin se po punonte kundër tij.
Këto “hatër mbetje” shoqëruan vizitën e tij të parë si kryeministër në Tiranë, kur Kurti e kritikoi publikisht Ramën për afrimin me Serbinë, duke deklaruar se është ngutur kur kishte zgjedhur për partner Beogradin. Sipas tij, Shqipëria fillimisht do të duhej konsultohej me Kosovën, më pas Maqedoninë e veriut dhe Malin e Zi dhe në fund me Serbinë, edhe atë nëse ndryshon pozitivisht. Ai nuk ndryshoi qëndrim as nëpër intervista të ndryshme, duke thënë se nuk e kupton nxitimin e kryeministrit shqiptar për të krijuar Mini-Shengenin.
Ashtu si edhe udhëheqësit e tjerë politikë në Kosovë, as Kurti nuk e ka kursyer revoltën, duke e cilësuar Mini-Shengenin si një nismë që fuqizon ndikimin e Serbisë në rajon. Edhe pse qeveria e Avdullah Hotit aprovoi bashkimin e Kosovës me këtë nismë, zyrtarët e partisë së tij janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani.
Duke mësuar nga përplasjet me Haradinajn, të cilin e hodhi në gjyq për shpifje, Edi Rama nga ana tjetër është treguar më i kursyer, sidomos pasi Kurti i emërua në mandatin e dytë si kryeministër i Kosovës, por nuk e ka fshehur hendekun që qëndron mes të dyve. Ai preferoi të “heshte” për rrëzimit të qeverisë “Kurti I” dhe duket se pati marrëdhënie më të ngrohta me kryeministrin Avdullah Hoti. Por me rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja dhe ardhjes në pushtet të Kurtit, tensionet u rikthyen.
Vetë Rama i ka nisur dy letra urimit për fitoren shefit të LVV-së në Kosovë në më pak se dy vite. “I dashuri Albin…”, kështu fillonte letra që ai i kishte nisur Albin Kurtit një ditë pasi ishte konfirmuar fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai ishte në fakt lideri i fundit në Tiranë që uronte Vetëvendosjen. Nuk kaluan ditë dhe dy liderat u përplasën mbi vaksinat, pasi Kurti refuzoi dozat e ofruara nga Shqipëria për mësuesit, duke thenë se nuk do të vaksinonte qytetarët e tij me vaksina ruse dhe kineze.
Këto deklarata çuan në hatër mbetje në Tiranë, e cila vazhdoi vaksinimin e mjekëve siç i kishte “premtuar” qeverisë Hoti, por nuk i ofroi më vaksinimin e të tjera grupeve prioritare Prishtinës, pavarësisht se është vendi që ka marrë më se paku doza në Europë, vetëm 24 mijë .
Megjithatë, “caqet” duket se u kaluan me nisjen e fushatës dhe udhëtimin e ministrave të Kosovës drejt Tiranës, për të mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes. I pyetur për këtë çështje, Rama u përgjigj shkurt, por nuk e fshehu indinjimim. “Mos më pyesni për Albin Kurtin sepse nuk flas”, tha ai pak ditë përpara zgjedhjeve. Hatër mbetja u bë e qartë të dielën kur Kurti erdhi të votonte në Tiranë, qëndroi disa orë, bëri thirrje për mbështetje për kandidatët e Vetëvendosjes, por iku pa takuar homologun e tij. Ndërkohë, të enjtën i pyetur në emisionin “Opinion” për kryeministrin e Kosovës, Rama refuzoi sërish të komentonte: “Mos më pyesni se nuk flas”, përsëriti ai.
Eksperti Leart Kolaj nga Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane thotë nga ana tjetër se nuk ka pasur kurrë një precedent të tillë në historinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe se rivaliteti Rama-Kurti do të dëmtojë në mënyrë afatgjatë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Është shqetësuese, sepse antagonizmi dy njerëzve, që janë momentalisht në krye të Shqipërisë apo Kosovës, mund të sjellë në afatgjatë dëme të mëdha në marrëdhëniet jo vetëm institucionale të dy vendeve. Është e qartë që qendrës së Vetëvendosjes në Shqipëri i janë bashkuar në demonstrata edhe zyrtare andej dhe këndej kufirit. Politika është fleksible, por qëllimi duhet të mbetet i njëjtë kur bie fjala për bashkëpunimin mes dy qeverive”, shprehet analisti. “Për herë të parë në të dyja vendet në pushtet janë parti, që qendrën e programit të tyre e kanë taksën progresive dhe social-demokracinë si mantra të ekzistencës së tyre politike. Pavarësisht antagonizmit, ka diçka që për Ramën dhe Kurtin duhet të shkojë përtej ideologjisë dhe partisë dhe ky është kombi”.