Ofrimi i kredive të buta, ose investimeve jo transparente është kthyer tashmë në një polikë strategjike për qeverinë kineze, duke u kthyer në një nga aktorët kryesorë politikë në Ballkan.
Megjthatë, një sërë ekspertësh po ngrenë alarmin se zgjerimi ekonomik i Kinës në Ballkanin Perëndimor paraqet rreziqe të mëdha për vendet e rajonit por edhe për vetë NATO-n.
Helena Legarda, analiste në Institutin Mercator thotë se Kina nuk është përfshirë ende plotësisht në Ballkan, por thotë se ndikimi i saj po rritet me shpejtësi, duke i detyruar vendet e rajonit të gjejnë ekuilibrin midis Kinës dhe Perëndimit. Sipas saj, ndikimi i Pekini në rajon po cilësohet tashmë nga NATO si sfidë për sigurinë e aleancës.
Ekspertja thotë se është e pamundur të parashikohet se si do te evolojnë marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës por thekson se tendencat aktuale sugjerojnë që ne do të shohim një vazhdim të tensioneve aktuale dhe konkurrencës gjeopolitike gjatë viteve të ardhshme.
“Kina vazhdon të ndjekë qëllimin e saj për t’u bërë një fuqi globale deri në vitin 2049, dhe sjellja e saj gjithnjë e më agresive në politikën e jashtme nuk kanë gjasa të ndryshojë në mënyrë thelbësore. Pekini është i bindur se ndërkohë që Lindja ngrihet dhe Perëndimi është në rënie”. Dhe vendet perëndimore në të dy anët e Atlantikut tani janë zgjuar me sfidat që Kina paraqet për interesat dhe sigurinë e tyre dhe po ndërmarrin veprime për t’i trajtuar ato”, thotë Legarda.
Sipas ekspertëve, ndikimi i Kinës në Ballkanin Perëndimor është ende i kufizuar, por po rritet me shpejtësi. Për Pekinin, rajoni është i rëndësishëm pasi siguron përfitime ekonomike, politike dhe strategjike. “Së pari, përfshirja e Ballkanit siguron përfitime ekonomike për firmat kineze, pasi rajonin që shërben si një pikë hyrëse në Europë për Nismën Një Brez një Rrugë, por që është e lirë nga rregullat dhe standardet strikte të BE -së. Ai gjithashtu i lejon Kinës të krijojë partneritete me dhe të rrisë ndikimin e saj mbi vendet që janë kandidatë ose kandidatë potencialë për anëtarësim në BE. Kjo mund t’i japë Kinës legjitimitet për nismat e saj të politikës së jashtme, si dhe mundësinë e mbështetjes nga brenda unionit europian”, thekson analistja.
Në samitin e 2021, udhëheqësit e NATO-s për herë të parë deklaruan se ambiciet dhe sjellja e Kinës paraqesin “një sfidë për rendin ndërkombëtar por edhe sigurinë e Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka vënë në dukje se kjo nuk do të thotë që Aleanca e konsideron Kinën një kundërshtare. Por deklarata nënkupton se ekziston një konsensus midis aleatëve se rritja e Kinës dhe zgjerimi i saj global paraqet një sfidë sigurie për NATO -n që nuk mund të injorohet.
Sipas ekspertëve, megjithëse Kina nuk paraqet asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Aleancën sot, rajoni shihet nga Pekini edhe si portë hyrëse për në NATO. Angazhimi i sigurisë së Kinës në Ballkanin Perëndimor është ende i kufizuar, por tashmë ka implikime të qarta për NATO -n të cilave Aleanca po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje. Ndikimi në rritje i Kinës mund të ndikojë në sigurinë kolektive të Aleancës. Ndikimi i Pekinit mbi qeveritë në rajon, falë ndikimit të tij ekonomik, lidhjeve të ngushta me elitat politike, gjithashtu mund të kërcënojë unitetin e Aleancës”, thotë Legarda.
Një nga shkaqet kryesore të shqetësimit janë investimet e kompanive kineze në fushën e mbrojtjes në Ballkan, të cilat mund të sfidojnë aftësinë e NATO -s për të siguruar komunikime dhe ndërveprim të sigurt. Bashkëpunimi ushtarak në rritje midis Kinës dhe Rusisë po ngre gjithashtu shqetësime se Pekini mund të kontribuojë në përforcimin e kërcënimit që Rusia paraqet për Ballkanin dhe rajonin e Detit të Zi.
Sipas Legardas, rreziku më i madh për NATO-n nga Ballkani vjen nga Kina., Serbia është një nga partnerët më të ngushtë të Kinës në Ballkan, dhe është gjithashtu marrësja më e madhe e financimeve kineze në rajon. Për të mbrojtur lidhjet e tij ekonomike me Pekinin dhe për të përfituar nga fleksibiliteti i politikës së jashtme që prania e Kinës i jep vendit, Beogradi ka mbështetur qëndrimet e Kinës në një numër çështjesh. Serbia, megjithatë, është gjithashtu një partner i NATO-s përmes Këshillit të Partneritetit Euro-Atlantik dhe ka qasje në një sërë të dhënash të NATO-s.
“Beogradi duket se po përpiqet të arrijë ekuilibrin mes Kinës dhe Perëndimit, por mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me Pekinin shpesh kërkon lëshime politike që do t’i bëjnë lidhjet e Serbisë me BE -në dhe NATO -n gjithnjë e më të tensionuara. Ndërsa konkurrenca gjeopolitike rritet dhe BE dhe NATO marrin një qëndrim më të fortë në marrëdhëniet me Pekinin, Serbia ka të ngjarë të gjendet në mes të dy partnerëve të saj.
Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare kanë kohë që kanë paralajmëruar rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Vonesat e Bashkimit Evropian për të pranuar vendet e këtij rajoni në bllok, thonë analistët, mund të shtojnë hapësirat e këtij ndikimi duke vënë në konkurrencë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin nga njëra anë dhe Kinën dhe Rusinë nga ana tjetër.
David Phillips, ekspert në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia thotë Kina po i përdor investimet në Ballkanin Perendimor për synime ideologjike, ndërsa kërkon të sigurojë heshtjen apo mbështetjen e këtyre vendeve në arenën ndërkombëtare.
“Interesat e Kinës në Ballkanin Perendimor nuk janë thjesht financiare, por ideologjike. Kina kërkon të ndërtojë një rrjet vendesh totalitare tek të cilat mund të mbështetet në rast të një konflikti apo krize. Siç e kemi parë, Serbia ka mbështetur shtypjen e ujgurëve nga Kina dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Hong Kong”, thotë analisti.
Sipas tij, investimet kineze në rajonin e Ballkanit janë bërë në formën e huave dhe jo të investimeve të drejtpërdrejta, duke shtuar rrezikun e vartësisë së tyre tek borxhet nga Kina.
“E kemi parë këtë në Mal të Zi, me investimet e kompanive të cilat kontrollohen nga qeveria kineze, ose janë në pronësi të saj. Ata përpiqen të bindin vendet të marrin hua të shumta nga Kina, nga bankat kineze, që më pas i bën këto vende të varura”, thotë analisti.
Phillips thotë se Rusia nga ana e saj vazhdon ta përdorë Serbinë për të kundërshtuar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Rusia ka vetëm një interes dhe ai është të ndalojë Shtetet e Bashkuara të konsolidojnë partneritetin e tyre në Ballkanin Perendimor, qoftë kjo duke u përpjekur të mos lejojë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, apo duke mbështetur axhendën e Serbisë”, thotë zoti Phillips.(SI)