Kina është në kërkim të rrugëve alternative për futjen e mallrave në Europë dhe Ballkani mund të kthehet në rrugëkalimin kryesor, ashtu si Turqia nëpërmjet ngushticës së Bosforit.
Kina ka propozuar së fundmi një zgjerim të ndjeshëm të lumenjve Vardar dhe Morava që mund të lundrohen në mënyrë që anijet e ngarkesave plot me mallra kineze të mund të kalojnë nëpër ta.
Kina ka investuar prej kohësh shumë në portet e Pireut (Greqi) dhe Trieste (Itali) nga ku mallrat e tyre shpërndahen më pas në të gjithë Evropën. Problemi është se transporti tokësor nëpër Kontinentin e Vjetër është shumë më pak efikas sesa transporti detar. Kamionët, trenat dhe avionët nuk mund të mbajnë aq ngarkesë sa një anije.
Sipas planit të Kinës, i cili vjen si pjesë e projektit Një Rrip një Rrugë, rruga e lundrueshme do të kalojë përmes lumenjve Morava dhe Vardar, duke arritur kështu në Evropën Qendrore pa rrethuar Mesdheun.
Projekti potencial do të sillte ndryshime rrënjësore në opsionet e transportit në rajon.
Sidoqoftë, plani për të ndërtuar një rrugë tregtare në Evropën Qendrore përmes Ballkanit kërkon marrëveshje bilaterale me të gjitha vendet e përfshira.
Në mënyrë të veçantë, Kina duhet të bie dakord me Greqinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, si dhe vendet europiane.
Nëse projekti realizohet, vendet e Ballkanit dhe Evropës Qendrore do të merrnin mallra më lirë dhe më shpejt, ndërsa eksportet e transportit do të kushtojnë më pak gjithashtu.
Në të njëjtën kohë, vendet e Ballkanit do të ishin në gjendje të transportonin produkte vendase në tregjet perëndimore të BE-së më lehtë, më shpejt dhe më lirë.
Zhvillimi i asaj që Kina e shikon si “Rruga e re e Mëndafshit” – duke përfshirë tokën, ajrin dhe detin – është tashmë në progres dhe përdorimi i lumenjve ekzistues nuk mund të lihet jashtë planit.
Rruga ujore do të ofronte një rrugë shumë më të shpejtë dhe me kosto më të ulët për ngarkesat e destinuara për në Evropë nga Lindja.
Zhvillimi i rrugës së re ujore do të ofronte një lidhje transporti nga Mesdheu Lindor drejtpërdrejt në zemër të Evropës, përmes lumenjve të Vardarit dhe Danubit.
Ngarkesat nuk do të kishin më nevojë të transportoheshin deri në Gjibraltar dhe prej andej deri në Hollandë, ose të kalonin në ngushticën e ngushtë të Bosporusit.
Disa studime të hershme kanë treguar se një rrugë e tillë do të funksiononte, të ishte tre ditë e gjysmë më e shpejtë në krahasim me opsionin ekzistues përmes Roterdamit.
Kjo është një perspektivë tërheqëse për Kinën dhe vendet e tjera të Azisë Lindore, të cilat eksportojnë miliona kontejnerë në tregjet europiane çdo vit.
Disa rrugë ujore në Greqi, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut do të duhet të zgjerohen dhe thellohen.
Minimumi i kërkuar që një anije mallrash të kalojë nëpër kanalet e lumit është 4 metra në thellësi dhe 28 metra në gjerësi.
Aktualisht, anijet e lidhura me Evropën nga Kina ndalojnë në Portin e Pireut ose Portin e Triestes të Italisë. Nga atje, mallrat transportohen në Evropë me kamion, tren ose aeroplan.
Por lëvizja e mallrave në Evropën Qendrore dhe Veriore në këtë mënyrë është e kushtueshme dhe kërkohet një kohë e gjatë që ngarkesat të arrijnë në destinacionin e tyre.
Pra, ka dy mundësi për rrugën tregtare të Kinës nga Ballkani: anijet e mallrave të hyjnë në lumin Danub nga Bosforiose Selaniku.
Opsioni i parë kërkon që anijet nga Azia të hyjnë në Detin e Zi përmes ngushticës së Dardaneleve dhe të hyjnë në Evropë nga pika ku lumi Danub derdhet në det.
Nga atje, transportuesit e mallrave mund të kalojnë lumin Danub për të arritur në portet kryesore evropiane si Budapesti, Vjena dhe Amsterdami.
Përdorimi i itinerarit të Bosforit do të kërkonte që një anije të udhëtonte 1900 km (1180 milje) për të arritur në Beograd.
Sidoqoftë, nëse anijet shkojnë në Portin e Selanikut dhe lidhen me Danubin përmes lumit Vardar, atyre do t’u duhet të kalojnë me 1000 km (621 milje) derisa të arrijnë në Beograd.
Ekziston një mundësi e tretë, por është afër të qenit joreale: Transportuesit nga Azia mund të lidhen me Danubin përmes Venecias, por kjo do të kërkonte ndërtimin e një kanali 88 km të gjatë (55 milje).
Me një shpejtësi prej 10 km në orë, anijeve të ngarkesave nga Kina u duhen tetë ditë për të arritur destinacionin e tyre Evropian. Me përdorimin e kanaleve, do të duheshin pak më shumë se katër orë.
Rruga tregtare e kanaleve jo vetëm që është shumë më efikase, por është edhe më e sigurt për mjedisin.
Kostot e karburantit për numrin e kamionëve, trenave dhe / ose avionëve të kërkuara për të transportuar mallrat në të gjithë Evropën do të zvogëlohen ndjeshëm, e lëre më që ndotja të jetë e kufizuar.
Kjo është arsyeja pse Kina po kërkon mënyra për të hapur një rrugë ujore përmes Evropës kontinentale dhe një nga pikat kryesore është Ballkani.( “Greek Repoter”, “Eu Observer”)