Nga Xhuliana Toci
Ndryshimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor zakonisht do të thotë luftë. Por pavërisisht se ka parë nga afër të gjitha trazirat që ka shkaktuar etja për kufij, Sllovenia hodhi një bombë në rajon me një letër dërguar Brukselit zyrtar, ku kërkonte krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe, duke kërkuar ndyshimin e kufijve të Bosnjës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, kur dukej se ideja e Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për shkëmbim territoresh mes Beogradit dhe Prishtinës kishte “vdekur” dhe tashmë i kishte mbetur historisë.
Lëvizjet e mistershme të Sllovenisë
Një luftë diplomatike kishte shpërthyer midis Bosnjes dhe Sllovenisë edhe përpara mbërritjes së letrës në selinë e Komisionit, pas komenteve të presidentit slloven Borut Pahor, në një takim të fundit me tre anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës. Sipas raporteve, Pahor me sa duket i pyeti presidentët boshnjakë më 11 prill nëse do të ishte e mundur që vendi të “ndahej paqësisht”. Të nesërmen, anëtari kroat i presidencës Zheljko Komçic konfirmoi se pyetja ishte bërë në të vërtetë gjatë një takimi në mars.
Sipas Komçic, ai dhe anëtari boshnjak i presidencës, Šefik Džaferović, u përgjigjën duke thënë se një ndarje paqësore nuk do të ishte e mundur. Sidoqoftë, Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës, tha ndryshe. Që atëherë, Dodik ka shprehur dy herë mbështetjen e tij për shpërbërjen paqësore të vendit: së pari në parlamentin e Republikës Srpska dhe përsëri në një intervistë për agjencinë e lajmeve ARN.
Duke i hedhur benzinë zjarrit, portali boshnjak i lajmeve “Politicki.ba” shkroi në 12 prill, duke cituar burime në Bruksel dhe Lubjanë, se Kryeministri Slloven Janez Janša i kishte dërguar një draft Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel duke përshkruar rishikimin e gjerë të kufijve në Ballkanin Perëndimor. Letra tronditi kësaj radhe edhe Prishtinën, duke përmendur një marrëveshje shkëmbimi territoresh midis Kosovës dhe Serbisë. Duke përshkruar përparësitë e presidencës së BE-së, duke thënë se Republika Srpska do të shkëputej nga Bosnja dhe Hercegovina dhe se disa pjesë të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut do të bashkoheshin me Shqipërinë.
E gjithë përmbajtja e dokumentit nuk është zbuluar ende për publikun. Sipas asaj që shkruante Jansa, ndryshimet do të fillojnë me kthimin e planin Vuçiç-Thaçi për rivendosjen e kufirit midis Serbisë dhe Kosovës. Sidoqoftë, më shumë hapa po ndërmerren, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së njësive të Bosnjës, aneksimin e pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicë shqiptare në Shqipëri dhe, në fund të fundit, aneksimin e Hercegovinës perëndimore në Kroaci”, shkruan media “Politicbi.Ba”, duke cituar burime nga Brukseli. “Plani është që të formohen tre republika kombëtare në Bosnjë. Serbia dhe Kroacia do të kishin lidhje të ngushta me vendet amë, ndërsa republika boshnjake do të merrte një korridor në ujërat detare ndërkombëtare që do të garantohej nga NATO …Jansa ka shtyrë konceptin e “Serbisë së Madhe” dhe “Shqipërisë së Madhe” për një kohë të gjatë. Ai është një nga mbrojtësit më të zëshëm të shpërbërjes së Jugosllavisë. Koncepti i tij është që “nën ombrellën e Bashkimit Europian dhe NATO” shpërbërja e Jugosllavisë duhet të kryhet dhe “për hir të paqes në shtëpinë Evropiane”, për të lejuar formimin e tre shteteve më të mëdha të Ballkanit Serbisë së Madhe, Shqipërisë së Madhe dhe Kroacisë së Madhe”, thekson gazeta.
Një zyrtar tjetër në Bruksel konfirmoi se “ndryshimi ndaj idesë së tregtisë në territore” po diskutohet “në qarqet burokratike” në BE dhe SHBA.
“Nuk është vetëm Jansa që e mbështet atë. Ekziston, sigurisht, Kryeministri Hungarez Viktor Orban, i gjithë pjesa e djathtë europianë, autoritetet e Kroacisë, Polonisë …, por Austria dhe Franca janë skeptikë për idenë. Franca nuk do të bëjë një deklaratë të qartë, sepse nuk dëshiron një përplasje të hapur me vendet e tjera europiane. Por, si herën fundit që Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi u përpoqën të çonin përpara “marrëveshjen”, ajo ishte dukshëm “neutrale”.
Pyetja e madhe është se si do të pozicionohet Gjermania, pas Angela Merkel”, pyet gazeta. Ambasadorja sllovene në Bosnjë dhe Hercegovinë, Zorica Bukinac u thirr nga presidenti Komšić më 13 prill për të shpjeguar pozicionin zyrtar të Sllovenisë. Mediat lokale kanë raportuar se zonja Bukinac deklaroi kategorikisht se politika e Sllovenisë ndaj Bosnjë dhe Herzegovinës dhe kufijve të saj aktual nuk ka ndryshuar.
Janša ndërkohë mohoi dërgimin e letrës, në një deklaratë të postuar në Twitter. Por partia kryesore opozitare në Slloveni, Social Demokratët kanë kërkuar një sesion të Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme me Kryeministrin Janez Janša dhe Presidentin Borut Pahor për raportet se kanë kërkuar rivendosjen e mundshme të kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Deputeti i SD, Matjaž Nemec shpjegoi se do të kërkonte një seancë urgjente për shkak të interpretimeve të ndryshme të pozicioneve të kryeministrit dhe presidentit. Ai tha se opozita dëshiron t’u japë të dyve mundësinë për të shpjeguar pikëpamjet e tyre në komisionin parlamentar, pasi grupi i deputetëve SD i shikonte idetë e tilla me shqetësim.
“Duam të dimë nëse pozicioni i Sllovenisë ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar dhe cila do të jetë politika e saj në vjeshtë, kur BE do të organizojë një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Presidencës së Këshillit Slloven të BE”, tha ai.
“Ndoshta është më së miri të besojmë se presidenti slloven gaboi ose u këshillua të thoshte gjëra të paarsyeshme”, thotë Eric Gordy, ekspert nga Shkolla e Studimeve Sllave dhe të Europës Lindore. “Është e mundur që ekziston një lloj prapavijë konspirative (Janša dhe Kryeministri Orban njihen për mbështetjen për ndryshimin e kufijve) Ose që kjo të jetë vetëm një tjetër përpjekje e Janšas për të kërkuar vëmendje, por edhe nëse është, kjo duket si një incident që nuk po shkon askund. ”
Gordy shton se nuk ka asnjë kontekst në të cilin ndarja e Bosnjës dhe Hercegovinës në “etno-shtete” është një ide e mirë ose e arsyeshme. “Në shkallën që ekziston një ndarje gjeografike e popullsive etnike sipas territorit, kjo është pasojë e dhunës në shkallë të gjerë të kryer nga fanatikë të cilët menduan se ata mund të krijonin shtete kombëtare duke ndryshuar me forcë popullsinë,” shpjegon ai “E vetmja mënyrë se si ky lloj projekti mund të realizohet është përmes gjenocidit”.
Reuf Bajrović, bashkëkryetar i Aleancës SHBA-Evropë dhe ish-ministër i energjisë së Bosnjë-Hercegovinës thotë nga ana tjetër se një grup miqësor me Putinin i anëtarëve të BE-së po punon me zell për të bërë të mundur shpërbërjen e Bosnjës dhe Hercegovinës,” thotë ai.
“Megjithatë, përfaqësuesit e Komisionit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për përdorimin e procesit të pranimit të BE si një mënyrë për të thelluar ndarjet brenda vendit. Angela Merkel është krijuesja kryesore e kësaj lloj sjelljeje në institucionet e BE-së”.
Kur bëhet fjalë për ndonjë përpjekje për shpërbërjen e Bosnjës, Bajrović e ka të qartë se kjo do të nënkuptojë luftë. “Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ndarë vendin,” thotë ai.
Burimet: “Emergin Europe”, “Politicbi.BA”, “European Western Balkans”