Demokrati Enkelejd Alibeaj doli në një deklaratë për mediat këtë të martë për të komentuar raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Alibeajt, në raport evidentohet qartë se ka patur presione për votën, duke treguar se 25 prilli ishte masakër elektorale.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë. Këtë e di shumica e shqiptarëve që panë me sytë e tyre se si regjimi Rama-Doshi pengoi ndryshimin. Këtë e evidenton edhe Asamableja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila, në raportin e saj të vëzhgimit, konfirmon elementët që çuan në masakrën zgjedhore të 25 prillit. Sepse çfarë tjetër mund të jenë pohime si: “Zyrtarët abuzuan me pushtetin e funksioneve publike”; “Keqqpërdorim i burimeve të administratës”; “Raportimet për blerje të votës, për ushtrim presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike për të votuar për partinë në pushtet.””
Ai zbuloi se kërcënime gjatë periudhës së zgjedhjeve ka patur jo vetëm mbi votuesit, por edhe një ambasdore u përfshi në një situatë të tillë.
“Misioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk ka qenë vetëm dëshmitar i momenteve të shpërndarjes së parave pranë qendrave të votimit. Apo, siç pohohet në raport, të presionit mbi votuesit, ku kanë kanë “vëzhguar se si një person tërhiqej me forcë drejt qendrës së votimit dhe instruktohej si të votonte.” Por ata vetë kanë pësuar presion, pasi kërcënimet nuk kanë munguar edhe ndaj ambasadores së një shtetit partner, takimi i të cilës u mbyll pasi një nga pjesëmarrësit u rrëmbye nga bandat në shërbim të regjimit.”