Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka përkujtuar këtë të mërkurë Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, ku ka veçuar historitë e familjeve shqiptrë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në një postim në “Facebook”, ambasada thekson se Shqipëria është një nga vendet e rralla europiane me shumicë myslimane ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë.
“Nuk ka asnjë gjurmë të asnjë lloj diskriminimi kundër hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria ndodh të jetë një nga vendet e rralla sot në Europë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse shqiptarët vetë janë të ndarë në tre besime”. Herman Bernstein, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, 1934.”
“Sot është Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit dhe ne do ta përkujtojmë duke kujtuar historitë e familjeve shqiptare që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato janë, ende sot, histori të fuqishme të mirësisë njerëzore dhe një dëshmi e vërtetë të traditës unike shqiptare të besës. Shqipëria, i vetmi vend europian me shumicë myslimane, ia doli aty ku kombet e tjera europiane dështuan: pothuajse të gjithë hebrenjtë që jetonin brenda kufijve shqiptarë gjatë pushtimit gjerman, si ata me origjinë shqiptare ashtu edhe refugjatë, u shpëtuan dhe, në mënyrë mbresëlënëse, në Shqipëri kishte më shumë hebrenj në fund të luftës sesa përpara saj”, thuhet në mesazhin e shpërndarë.
Advertisement