Enkelejd Alibeaj është i pari deputet demokrat që largohet nga grupi parlamentar i PD, pasi gjykata e Apelit njohu Sali Berishën  si kryetar të Partisë Demokratike. Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj i cili është numri 2 i grupimit të udhëhequr nga Lulzim Basha deklaroi se është kundër berishizmit si model politik.

“Nëse për të qenë ‘demokrat’ kushti është të jesh ‘berishist’ dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha.”, tha Alibeaj. 

Deri tani qëndrimi i Alibeajt duket se është personal pasi askush në këtë grupim, madje as zoti Basha nuk ka deklaruar se do të largohet nga grupi parlamentar i PD.

Për më tepër brenda ekipit prej 10 deputetësh që mbështetën gjatë këtyre viteve Lulzim Bashën ka deputetë që e kanë deklaruar se do të qëndrojnë në Partinë Demokratike.  Kreshnik Çollaku, themelues i PD, deklaron se ai nuk largohet nga Partia Demokratike dhe pranon vendimin e gjykatës.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

“Unë jam themelues i PD, student i dhjetorit, jam deputet i PD. Në asnjë rast unë nuk kam ndërmend që mandati im të shkojë në asnjë lloj formacioni apo subjekti tjeter.  Sot lideriship zyrtar i PD është ai që njihet grupi i  Rithemelimit dhe kryetari i saj sot është Sali Berisha”, deklaroi Çollaku. 

Çollaku shpjegon se sipas tij Partia Demokratike duhet të bashkohet duke respektuar mendimin dhe bindjet e secilit. Vetë Çollaku thekson se ai vazhdon të besojë se SPAK-u po bën një punë të mirë e duhet mbështetur, se PD ka nevojë për aleatët SHBA e BE, edhe pse qëndrimi i kryetarit të PD Sali Berisha është krejt i ndryshëm.

“Bashkimi nuk mund të jetë nënshtrim. Pra duhet që përmes një projekti bashkimi, të shohim nëse funksionon që jo vetëm ne deputetët, por krejt struktura që na mbështeti, pra një lloj partie e dyte se ne ishim dy parti;  të gjejmë mundësinë të bashkohemi, jo duke u nënshtruar por duke ruajtur secili bindjet e veta, profilin e vet por edhe kundërshtitë e veta”, shtoi Çollaku. 

Në të njëjtën frymë është shprehur edhe deputetja Eralda Tase Bano, e cila ka deklaruar se do të qëndrojë në PD. Mes 8 deputetëve të tjerë që mbështesin Bashën ka mendime të ndryshme, disa janë për krijimin e një force të re politike disa të tjerë kërkojnë më shumë kohë, por deri më tani asnjë prej tyre përveç zotit Alibeaj nuk dëshiron të largohet nga grupi parlamentar i PD./vizionplus.tv

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";