Kryeministri Albin Kurti është prononcuar për media pas arritjes në Brdo të Sllovenisë ku po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Ai aty përsëriti që Kosovës i është bërë një padrejtësi e madhe nga BE-ja për mosliberalizimin e vizave, megjithatë ai tha se mbetet me shpresë se Unioni do të mbajë fjalën e dhënë.
“Komisioni Europian për të dytën herë rekomandoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe është bërë një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve tanë që vuajtën shumë.
Ne jemi me shpresë që ky samit do të bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj dhe ky është zgjerimi si projekti më i rëndësishëm politik dhe proces historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore.
BE duhet të vazhdojë zgjerimin për t’u bërë Europë dhe gjashta e Ballkanit Perëndimor është rajoni që BE-së i mungon të bëhet Europë. Ne jemi në Europë, por BE-ja duhet të bëhet Europë. Avokoj për më pak frikë nga ana e BE-së dhe për më pak zemërim nga ana e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Kurti ka folur edhe 5 vendet e BE-së, të cilat nuk kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe i ftoi tu bashkohen shteteve të tjera të unionit.