Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico e vlerësoi situatën epidemiologjike në vend si delikate. Gjatë një interviste për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Fico tha se për shkak të shtimit të numrit të të infektuarve, spitalet rajonale u bënë spitale COVID.
“Jemi në një situatë që kërkon një vëmendje të shtuar, është një situatë delilkate, por është nën konroll. Komiteti i Ekspertëve ka qenë që në krye të herës i qartë që kjo pandemi nuk ishte diçka e lehtë dhe është marrë tepër seriozisht. Në dokumentin për vjeshtë-dimrin është përcaktuar qartë që nëse do të kemi rritje të numrit të të infektuarve, rritje të të shtruarve në spitale si edhe raste të rënda dhe humbje jete, do të kërkohet për të patur një qasje tjetër në raport me shtretërit. Mes Shkodrës dhe Durrësit, 60 shtretër janë të dedikuar në Durrës dhe 90 në Shkodër. Këto nuk janë shtretër ku njerëzit rrinë dhe kalojnë një formë spitalore të mesme. Këto janë për të pritur forma spitalore të rënda”, u shpreh ajo për “Vizion Plus”.
Nga ana tjetër, Albana Fico deklaroi se vaksina nuk i jep fund historisë së pandemisë në Shqipëri. Sipas saj, vaksina duhet të shoqërohet edhe me zbatimin e masave.
“Vaksina është një mjet, një bar, që në radhë të parë pamundëson infektimin e personit. Asnjëherë nuk është pretenduar që vaksina do t’i japë fund kësaj historie. Është një tërësi masash”, tha Albana Fico.
Advertisement