Një aksident është shënuar pak minuta më parë në bypass-in e Rrugës së Arbrit në fshatin Bastar Murrize të Tiranës.
Në vendin e ngjarjes ndodhet një automjet i aksidentuar dhe i braktisur, që dyshohet të jetë përplasur me një tjetër mjet. Në vendin e ngjarjes duken pjesët e thyera edhe të makinës tjetër, ndërsa ajo është larguar nga aty.
Banorë të zonës thanë se në mjetin tip “Benz” që ka mbetur në vendin e ngjarjes ka të dëmtuar të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore me autoambulancë drejt Klosit. Ndërkohë drejt vendit të ngjarjes është nisur një patrullë e policisë rrugore të Tiranës.
Në vendin e aksidentit të sotëm, kanë ndodhur me dhjetra përplasje automjetesh për shkak të kthesave shumë të forta dhe rrugës së ngushtë. Situata më problematike në bajpasin e rrugës së Arbrit bëhet gjatë ditëve me shi.