Aksident me tre të lënduar në aksin rrugor Korçë- Maliq.
Të lënduar kanë mbetur një grua me dy fëmijët e saj të cilët po udhëtonin nga Korça në drejtim të fshatit Bulgarec. Nga spitali i Korçës bëhet me dije se gruaja dhe fëmijët e saj nuk kanë probleme serioze por po mbahen nën kontroll mjekësor nga mjekët e këtij spitali.
Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Bulgarec pasi dy mjete të përfshira në këtë aksident po udhëtonin nga Korca në drejtim të Bulgarecit. Drejtuesi i mjetit te parë është kthyer papritmas në kryqëzimin e këtij fshati duke sjellë edhe përplasjen e mjetit që vinte pas tij, pasi edhe drejtuesi i mjetit benz do të shkonte në të njëjtin fshat.
Nga përplasja mjeti ku udhëtonte gruaja dhe dy fëmijët e saj ka perfunduar në kanal duke sjellë edhe lëndimin e tyre por fatmirësisht pa dëmtime serioze. Policia në vendin e ngjarjes po heton për shkaqet e aksidentit.