Këto janë pamjet e ekzekutimit të 38-vjeçarit Bledar Birçaj me breshëri plumbash në makinën e tij.
Në videon e siguruar nga Vizion Plus, shihen dy persona me maska dhe të kamufluar me rroba të zeza që zbresin nga një makinë tip benz ngjyrë gri dhe që hapin zjarr në drejtim të automjetit “bmw” të 38-vjeçarit.
Autorët ende të paidentifikuar kishin dijeni mbi itinerarin që do përshkruante Birçaj pasi po e prisnin atë pranë një karburantit në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit.
Atentati ishte i mirëorganizuar. Kjo pasi në rrugë ndodhej një pengesë për ngadalësimin e shpejtësisë së automjeteve që u shfrytëzua më së miri nga dy ekzekutorët. Ata hapën zjarr pikërisht në momentin kur 38-vjeçari ngadalësoi shpejtësinë.
Burime nga grupi hetimor thanë për Vizion Plus se në drejtim të automjetit u qëllua plot 30 herë, ndërsa 7 prej plumbave përfunduan në trupin e Birçajt. Autorët përdorën dy automatikë model 56.
Në momentin e sulmit, në makinë me viktimën ishte dhe polici antidrogës Granit Deromema, i cili arriti t’u shpëtonte mrekullisht plumbave. Ende nuk dihet roli i tij në këtë ngjarje, ndërsa mësohet se ai ka deklaruar para hetuesve se nuk arriti t’i njihte autorët dhe se nuk ka dijeni mbi motivet e vrasjes.
Ndërkohë u shoqëruan në polici 20 persona të tjerë, mes të cilëve të afërm e familjarë të viktimës, por dhe dëshmitarë në vendngjarje. Ata u morën në pyetje e më pas u lanë të lirë, ndërsa mësohet se 3 prej tyre po mbahen ende në komisariatin e policisë Vlorë.
Deri më tani, ende nuk është gjetur makina e cila u përdor nga autorët gjatë atentatit. Dyshohet se vrasësit e kanë fshehur mjetin pranë ndonjë garazhi apo banese të zonës për të humbur gjurmët e më pas janë larguar me një makinë tjetër në drejtim të fshatrave të lumit të Vlorës.
Bledar Birçaj ka qenë me herët i hetuar për vrasje, por akuzat ndaj tij u pushuan. Ai ishte pronar i një lokali në zonën e Lungomares. Shkaku i ekzekutimit të tij dyshohet se kanë qenë pazaret e drogës, por nuk përjashtohet as pista e hakmarrjes. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e të hënës në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë.