Të gjithë bizneset e mëdha që duan të marrin kredi në banka me garanci shtetërore kanë afat deri më 30 qershor të këtij viti për të aplikuar.
Ministria e financave miratoi kërkesën e shoqatës së bankave për ta shtyrë periudhën e vlefshme, me 6 muaj. Kjo shtyrje sipas ministrisë do ti vijë në ndihmë sipërmarrjes për të rimëkëmbur aktivitetin e tyre ekonomik.
Ministria argumenton se nevoja e kompanive për të përfituar nga kjo skemë është e lartë dhe se shumë aplikime janë në proces vlerësimi nga bankat e nivelit të dytë.
Deri në fund të vitit 2020, 308 biznese kanë qenë përfitues të skemës me një vlerë kredie prej 9 miliard lekë. Kjo skemë mbulon 60% vlerës së kredisë, ndërsa pjesën tjetër duhet ta garantojë vetë subjekti.
E thënë ndryshe deri më tani nga garancia sovrane 2 është përdorur vetëm 30 % e vlerës, pra 5 miliard lekë nga 15 që është totali. Komiteti I sipërmarrjes është ankuar se kjo skemë nuk është efektive pasi normat e interesit nuk janë favorizuese nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër shumë kompani që janë në vështirësi financiare vështirë se mund të përfitojnë nga kjo skemë.