Teksa pandemia, por edhe vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha ka marrë vëmendje maksimale javët e fundit, në fushën e transportit pritet të finalizohet një marrëveshje e rëndësishme me interes publik.
Aeroporti ndërkombëtar “Nene Tereza” po ndërron pronar. Kompania kineze, pronare e aeroportit nga viti 2016, “China Everbright Limited” është në bisedime për të shitur aksionet.
Marrëveshja pritet të finalizohet brenda muajit dhjetor.
Por kush janë blerësit e rinj?
“Vizion Plus” kërkoi informacion pranë Autoritetit të Aviacionit Civil, por ky institucion nuk e konfirmoi këtë transaksion.
“Vizion Plus” kontaktoi me Drejtorin e Përgjithshëm të Operimit, z. Volker Vendefeuer, i cili konfirmoi zyrtarisht shitjen e aksioneve të aeroportit drejt një kompanie shqiptare. Z. Volker nuk preferoi të japë emrin e blerësit të ri, pasi tha se kompania ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare.
Por Vizion Plus ka mësuar se një nga kompanitë më të mëdha në vend, Kastrati Group do të jetë pjesë e aksionerëve te rinj.
Detajet e kësaj marrëveshje pritet të zyrtarizohen në javën që vjen, por mësohet se shitja e aksioneve përfshin afatin deri në 2025, kohë kur përfundon periudha koncesionare.
Nuk dihen ende arsyet pse kompania kineze vendosi të largohet nga Shqipëria, por ky koncesion ka qenë ndër më fitimprurësit në vite. Pandemia është i vetmi faktor që këtë vit po cenon normën e fitimit të këtij koncesioni.