Administrata kërkon ekselentët, Pirdeni: Afati për dorëzimin e aplikimeve, 12 dhjetori

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Administrata kërkon ekselentët, Pirdeni: Afati për dorëzimin e aplikimeve, 12 dhjetori

Të rinjtë ekselentë, që kanë përfunduar studimet universitare me mesatare mbi 9, kanë edhe 3 ditë kohë për të aplikuar për një vend pune në administratën publike.

“Aktualisht janë 153 pozicione pune vakante, që janë vënë në dispozicion të të rinjve për të aplikuar. Përfshijnë një numër prej 80 institucionesh të administratës publike, në 22 qytete të Shqipërisë, në 12 qarqe. Kushdo që ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor ose të nivelit Master Shkencor, ose Master Profesional, sipas profilit të pozicionit të punës ku duan të aplikojnë dhe ka një mesatare të ponderuar mbi 9, mund të aplikojë për programin e ekselencës. Nuk ka nevojë për një përvojë të mëparshme profesionale, sikurse është në qëllimin e këtij programi që t’u japë mundësi të rinjve të krijojnë një përvojë profesionale, në shërbim të karrierës së tyre”, tha Adea Pirdeni, ministre për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Pas mbylljes së aplikimeve më 12 dhjetor, fituesit do të njoftohen me email në javën e parë të janarit.

“Procedura kryhet përmes komunikimit elektronik. Afati për dorëzimin e të gjitha aplikimeve është data 12 dhjetor. Në vijim, stafi i administratës publike do të jenë të angazhuar për përzgjedhur fituesit. Në datën 7 janar do të shpallen fituesit. Ata do të informohen përmes një emaili për pozicionet që do t’ju ofrohen”, sqaroi Pirdeni.

Advertisement

Ata që do të fitojnë të drejtën të punësohen në një prej institucioneve të administratës publike, do të nënshkruajnë një kontratë pune 1-vjeçare.

“Ky është një program i dizenjuar pas paktit për universitetin. Qeveria shqiptare e ka marrë si prioritet që prej vitit 2019 dhe në vazhdim që të krijojë një mundësi për këdo që të punojë me një kontratë 1-vjeçare në një institucion të administratës publike. Pas përfundimit të kësaj kontrate, krijohet mundësia që të aplikojë për një pozicion pune të qëndrueshëm në administratën publike”, tha Pirdeni.

Thirrja për punësimin e ekselentëve në administratë hapet vetëm një herë në vit dhe aplikimi bëhet online në faqen zyrtare elektronike të Departamentit të Administratës Publike./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy