Administrata e Biden-it mbështet dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Administrata e Biden-it mbështet dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja

Shtetet e Bashkuara mbështesin në mënyrë të plotë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian që ka për synim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Departamenti i Shtetit rikujton një deklaratë të mëhershme të presidentit amerikan, Joe Biden.

“Siç ka thënë presidenti Biden: thelbësore për ecjen përpara të Kosovës dhe Serbisë është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çojë në njohje të ndërsjellë; do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve, si dhe do të fuqizojë institucionet demokratike të tyre. Ajo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve, do të avanconte aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

Departamenti i Shtetit rikujton edhe deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit më 19 janar, para inaugurimit të presidentit Biden, në të cilën ai kishte thënë se “duartroket përpjekjet e administratës së presidentit Trump” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement

“Presidenti i zgjedhur (Joe Biden), siç e dini, në të kaluarën ka kaluar shumë kohë në ato vende, dhe unë mendoj se ai ndan bindjen se ka gjëra që mund të bëjmë për të ndihmuar që Kosova të lëvizë përpara, gjithashtu me shpresë edhe Serbia”, pati thënë Blinken.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Advertisement

Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy