SPAK ka mbyllur hetimet për grupin e Fierit, të cilëve iu sekuestruan 485.5 kg kokainë e cila ishte e fshehur në pleh kimik.
Në një njoftim për media, SPAK bën me dije se ka dërguar për gjykim 11 të arrestuarit, mes tyre një kolumbian.
Të pandehurit Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Viktor Çervanaku dhe Denilson Çervanaku, janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë personat që kanë krijuar, organizuar dhe kanë drejtuar grupin kriminal.
Të pandehurit Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe Samir Rosales Rodriguez (shtetas kolumbian), janë akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal. Këta të pandehur janë akuzuar se janë pjesëmarrës në këtë grup kriminal.
I pandehuri Redion Meshi është akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga neni 278/2 të Kodit Penal.
Të pandehurit Klajdi Vrioni (Kodra) dhe Bledar Matoshi janë akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 278/1 e 25 të Kodit Penal.
I pandehuri Viktor Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 278/1 dhe 278/4 të Kodit Penal;
I pandehuri Denilson Çervanaku është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të parashikuara nga nenet 278/1, 278/4 dhe 280 të Kodit Penal;
Gjatë hetimeve paraprake është hetuar edhe shtetasi Kid Koshena, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar nga neni 278/1 e 25 i Kodit Penal, por nga veprimet hetimore të kryera ndaj këtij shtetasi nuk u arrit që të provohej se ka kryer këtë veprër penale. Si rrjedhim, për këtë shtetas është paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë për pushimin e hetimeve ndaj tij.