Sot bëhen 30 vite nge krijimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Anëtarë të gjykatës dhe figura të larta publike ishin të pranishëm në ceremoninë e 30 vjetorit.
Ndër ta, edhe Presidenti i vendit, Bajram Begaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj u shpreh se kjo gjykatë është kurora e demokracisë dhe rojtare e paqes sociale.
“Ndryshimet e viteve ’90 dhe kthesa e madhe drejt demokracisë, sollën nevojën për krijimin e Gjykatës Kushtetuese, si një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. 30 vjet nuk janë shumë në konsolidimin e një institucioni kyç për rendin demokratik të një vendi, por nuk janë edhe pak.”
Begaj u shpreh se gjatë viteve, ‘Kushtetuesja’ ka shqyrtuar çështje të ndryshme dhe ka konfirmuar se është një institucion i balancuar dhe i vendosur në rrugëtimin drejt standardeve më të mira.
Presidenti shtoi se ndryshimet e herëpasherëshme ligjore që nga viti 92’ kanë vënë Gjykatën Kushtetuese para sfidave të ndryshme, duke veçuar Reformën në Drejtësi e cila sipas tij, ka sjellë zhvillime pozitive.
“Reforma në drejtësi, e mbështetur fuqimisht nga partnerët tanë evropianë dhe amerikanë, ka sjellë zhvillime pozitive për Gjykatën Kushtetuese dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese. Rregullimet në mënyrën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës, përfshirja e disa organeve kushtetuese, me kompetenca të detajuara, ka mundësuar një përzgjedhje në bazë të meritës profesionale dhe shkëputje nga ndikimi politik.
Zgjerimi i rrethit të subjekteve, që mund të iniciojnë një gjykim kushtetues, është gjithashtu një zhvillim pozitiv.”- është shprehur Begaj gjatë fjalës së tij.