Nga data 15 qershor 29 qendra shëndetësore verore janë hapur në të gjitha pikat turistike në vend për tu shërbyer pushuesve gjatë sezonit. Risia është se çdo qytetar, sapo të konstatojë simptoma të Covid-19, mund të kryejë edhe testin e shpejtë.
“Prej datës 15 qershor kemi hapur 29 qendra shëndetësore verore, nga Thethi në Ksamil, ku ndër të gjitha shërbimet që ofrojnë këto qendra, kemi shtuar edhe shërbimin e testit të shpejtë, një shërbim i cili do të garantojë kapjen në kohë të rasteve me Covid19 dhe menjëherë do të informohet Instituti i Shëndetit Publik dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për ndjekjen e rasteve, izolimin e tyre”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Teksa pa nga afër një nga qendrat shëndetësore në bregdetin e Durrësit ministrja njoftoi se javën e ardhshme pritet të mbërrijnë mbi 100 mijë vaksina Coronavac dhe Pfizer, që do përshpejtojnë uljen e fashës moshore .
“Brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi serish një lëvrim të kontratave të lidhura të vaksinave anticovid. Do të jenë 100,000 vaksina Coronavac, të cilat pritet të mbërrijnë në ditët e ardhshme, ndërkohë 11,700 vaksina të Pfizer pritet të mbërrijnë ditën e hënë.”
170 mjekë dhe infermierë pranë këtyre qendrave shëndetësore do të jenë në shërbim 24 orë për pushuesit që kanë nevojë për trajtim ambulator.