Deri të shtunën në mbrëmje (16.01.), subjektet politike në Kosovë kishin afat që të dorëzonin listat e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të garuar për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt. Ky afat përfundoi, dhe sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, të drejtën për të aplikuar për zgjedhje e shfrytëzuan 28 subjekte politike me gjithsej numrin e përgjithshëm prej 1079 kandidatësh që garojnë për deputetë.
“Gjatë afatit të vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 8 janar – 16 janar, kanë dorëzuar aplikimin për çertifikim dhe listën e kandidatëve, gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079 kandidatë”, tha zëdhënësi Elezi.
Tri subjektet më të mëdha politike, lëvizja Vetëvendosja (VV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tashmë kanë kandidatët e tyre për kryeministra. Lëvizjes Vetëvendosje i prin lideri i saj Albin Kurti, i pasuar nga Vjosa Osmani, e cila në listën e Vetëvendosjes garon për deputete, ndonëse ajo pretendon postin e presidentes së vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, postin e kryeministrit e kërkon sërish me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti. Listës së Partisë Demokratike të Kosovës i prin Enver Hoxhaj që kandidon për postin e kryeministrit. Ndërsa, listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i prin Ramush Haradinaj, i cili nuk synon postin e kryeministrit, por atë të presidentit të vendit.
Për të garuar në këto zgjedhje është regjistruar edhe subjekti politik më i madhi i serbëve të Kosovës, Lista Srpska dhe parti të tjera të pakicave të tjera kombëtare. 10 ulëse janë të rezervuara vetëm për përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ndërsa 10 vende tjera për pakicat tjera që jetojnë në Kosovë.
A do të lejohet kandidatura e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti?
Pas publikimit të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që rrëzoi qeverinë Hoti dhe mundësoi shpërndarjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, në mediet e Kosovës u ngrit dilema nëse në këto zgjedhje do të mund të garojë lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe disa zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes.
Këta janë të dënuar me një vendim të prerë të Gjykatës për shkak se kishin hedhur gas lotësjellës në parlament në vitin 2015. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se çdokush që ka një vendim për një vepër penale në tri vitet e fundit, përjashtohet nga mundësia për kandidim. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se lista me kandidatë për deputetë do të verifikohet nga disa institucione të drejtësisë dhe brenda dy ditësh do të dihet se kush nga kandidatët mund dhe nuk mund të garojë në këto zgjedhje.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit do të zgjasë vetëm 10 ditë. Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithpërfshirëse. Zëdhënësja e Komisionit Evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Ana Pisonero, tha se u takon qytetarëve të Kosovës të zgjedhin lidershipin e vet, ndërsa, për BE-në është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë transparente dhe gjithëpërfshirëse.
“Ne marrim në dijeni shpalljen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më 14 shkurt. Bashkimi Evropian pret zgjedhje të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë, të zhvilluara në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që Kosova të ecë përpara”, tha Pisonero, duke shtuar se “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë i angazhuar në Kosovë, për të promovuar agjendën e integrimeve evropiane dhe reformave të domosdoshme”.