Ndonëse me ritme më të ulëta, shqiptarët vijojnë të kërkojnë azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit të Agjencisë për Azil të Bashkimit Europian (EUAA) bëjnë të ditur se në vitin 2021, nga Shqipëria aplikuan gjithsej për azil 11.2 mijë persona, 77% e të cilëve e kishin aplikim për herë të parë.
Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se në raport me vitin e mëparshëm, kur lëvizjet ishin të kufizuara për shkak të pandemisë, aplikimet për azil u rritën me 19%, por gjithsesi ato mbeten më të ulëtat që nga viti 2013 (pa përfshirë vitin e pandemisë).
Rekordin e kërkesave për azil vijon ta mbajë viti 2015, me gati 69 mijë aplikime. Pavarësisht tendencës rënie, në raport me vendet e rajonit, shqiptarët duan të ikin më shumë se të gjithë shtetet e tjera të rajonit.
Maqedonia e Veriut, që është shteti i dytë në listë pas nesh për kërkesat për azil ka rreth 5 mijë aplikime, apo më pak se gjysma e Shqipërisë. Më pas renditet Serbia me 3,200, Bsonja- Hercegovina me 2500, Kosova me rreth 2,300 dhe Mali i Zi me më pak se 500. Edhe në raport me popullsinë Shqipëria mban rekord, me 3.9 aplikime për 1000 banorë.
Shqiptarët, aplikuesit më të mëdhenj në Europë
EUAA shkruan se grupi më i madh i azilkërkuesve europianë ishin shqiptarët (11 100), të ndjekur nga moldavët (7 700). Të dy paraqitën rreth 70% më shumë aplikime në 2021 sesa në 2020. Krahasuar me vitin 2020, një numër i ngjashëm ukrainassh (6 300) kërkuan azil, por aplikuan tre herë më shumë bjellorusë (3 800). Një rritje dukshëm më e fortë ka ndodhur vetëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut (5 000), aplikimet e të cilëve janë katërfishuar.
Aplikimet në total
Sipas EUAA, në vitin 2021, aplikimet për mbrojtje ndërkombëtare në BE+ u rritën me një të tretën, në 617 800, duke u rikthyer në nivelet para pandemisë pas një rënieje të madhe në vitin 2020. Niveli në 2021 ishte afërsisht i ngjashëm me atë në 2018, por ende disi më i ulët se në 2019. Ndonëse nuk mund të përjashtohet që COVID-19 dhe kufizimet e lidhura me lëvizjen të kenë ende ndikim në procedurat e azilit, çdo efekt i tillë duket të ketë qenë dukshëm më i dobët se në vitin 2020.
Rritja e përgjithshme e kërkesave për azil në vitin 2021 u nxit kryesisht nga afganët dhe sirianë. Afganët depozituan dy herë më shumë aplikime (rreth 97 800) krahasuar me vitin 2020. Pas marrjes së Afganistanit nga talibanët, vendet e BE+ morën më shumë se 10 000 aplikime afgane çdo muaj që nga gushti, niveli më i lartë nga të gjitha kombësitë e tjera. Megjithatë, në përgjithësi në vitin 2021, sirianët ende depozituan pak më shumë aplikime (106 000) sesa afganët, dhe pothuajse dy të tretat më shumë se në vitin 2020.
Irakianët ishin grupi i tretë më i madh i aplikantëve në vitin 2021 (rreth 28 700). Ndërsa aplikimet e tyre janë rritur gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme nga viti 2020 (+ 58 %), pjesërisht për shkak të rrugës së re të migrimit të parregullt nëpërmjet Bjellorusisë, ato mbetën më të ulëta se në vitet para 2020. Irakianët u pasuan nga pakistanezët (24 600), turqit (23 700) dhe Bangladeshit (20 000). Për të tre kombësitë, aplikimet ishin dukshëm më të larta se në vitin 2020./Monitor