Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka prezantuar sot logon e re që shënon 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ishte vet ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale u shpreh se simbolika e logos së re është pafundësia e miqësisë së mirë mes dy popujve.
“Ky vit shënon një gur kilometrik të vecantë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.Shpresojmë të jeni dakord se ajo shpreh miqësinë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar nëpërmjet ngjyrave, skicimit dhe fjalëve. Ajo që personalisht më pëlqen është që numri 100 përfshin simbolin e pafundësisë.”
Kryediplomatja amerikane uroi dy popujt edhe 100 vite të tjera, krah për krah.
“Ndërsa festojmë njëqind vjet së bashku, ne festojmë se sa shumë kemi ecur së bashku dhe gjithashtu mirëpresim arritjet që do të vijnë. Ndërsa ecim përpara, uroj që populli amerikan dhe shqiptar të qëndrojnë gjithmonë krah për krah. Gëzuar! Edhe njëqind!”
Për 100 vjetorin e marrëdhenjeve të Uashingtoni dhe Shqipërisë ka reaguar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhacka. “Ne i jemi mirënjohës popullit amerikan për mbështetjen e tyre bujare dhe vendimtare ndaj Shqipërisë”, u shpreh Xhaçka në një postim në Twitter.