Në verë dihet që lëkura është më e ekspozuar ndaj rrezeve të diellit. Banjot e diellit, veçanërisht gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe pa mbrojtjen e duhur me kremra kundër rrezeve të forta, mund të ndikojë në zhvillimin e nishaneve veçanërisht nëse keni lëkurë shumë të bardhë.
Kjo është arsyeja pse çdo vit dermatologët rekomandojnë një kontroll të nishaneve pas kthimit nga pushimet, edhe pse ato duhen mbajtur nën kontroll gjatë gjithë vitit.
“Në verë është më e lehtë të vërehen nishane, të cilat gjatë dimrit kishin mbetur të fshehura dhe që nuk i kishim parë kurrë ose që nuk na kujtohej se kishin ato lloj karakteristikash morfologjike”, thotë Giuseppe Argenziano, presidenti i Shoqatës Italiane të Dermatologjisë.
Prandaj, kur të ktheheni nga pushimet, është mirë të bëni një hartë të nishaneve tuaja nëse nuk e keni bërë më parë. Parandalimi, si në shumë raste të tjera, mund të bëjë ndryshimin.
“Hartëzimi i nishaneve duhet të bëhet periodikisht, të paktën një herë në vit”, rekomandon Argenziano.
Këshilla është të vizitoheni te mjeku specialist dermatolog brenda 12 muajve.
Pas verës, nëse keni pasur një djegie të lëkurës ose një infeksion të lidhur me faktorë traumatikë, është mirë të mos hezitoni dhe të kontrolloheni.
Pavarësisht nëse keni lëkurë të errët apo të hapur, në asnjë rast nuk duhet të ekspozoheni në rrezet e diellit gjatë orëve më të nxehta, prandaj rrezet e diellit duhen marrë herët në mëngjes deri në orën 11 dhe pasdite pas orës 17, duke aplikuar kremin më të përshtatshëm kundër diellit për.
Kur është i nevojshëm hartëzimi i nishaneve?
Doktor Argenziano rekomandon: “Nëse keni shumë nishane dhe nëse një ose më shumë prej tyre kanë një diametër më të madh se 6 milimetra. Ose në rastet kur keni vënë re shfaqjen e nishaneve të rinj. Po ashtu kur të vëreni se një nishan i vjetër ndryshon, ose keni pika gjigante kongjenitale dhe nëse vini re ndryshime në ndonjë prej nishaneve gjatë shtatzënisë.”/Living/