Pavarësisht sesa përpiqemi të përgatitemi përpara një interviste pune ose një takimi romantik, jo çdo gjë shkon sipas parashikimeve tona. Njerëzit arrijnë të krijojnë një përshtypje nga mënyra sesi zgjedhim ta paraqisim veten në publik, mimika dhe gjuha e trupit. Sipas psikologëve këto janë 3 gjërat që njerëzit i kushtojnë rëndësi që në takimin e parë.
Duam apo nuk duam, njerëzit gjykojnë edhe nga pamja e jashtme. Antropologët shpjegojnë se dhëmbët tërheqin menjëherë vëmendje dhe tregojnë shumë rreth moshës, shëndetit, nëse dikush është ose jo duhanpirës, kafedashës ose ka ankth kronik. Sipas studimeve, dhëmbët e bardhë dhe të drejtë krijojnë përshtypjen se dikush është i suksesshëm në karrierë dhe i qëndrueshëm nga ana financiare. 58% e personave të intervistuar, mendojnë se njerëzit që përkujdesen për dhëmbët kanë më shumë gjasa të dalin në një takim të dytë romantik. Buzëqeshja është po ashtu shumë e rëndësishme. 74% e të anketuarve tregojnë se do t’i besonin më shumë dikujt me dhëmbë të drejtë dhe një buzëqeshje të bukur sesa dikujt me një punë, veshje dhe makinë të mirë.
Inteligjenca
Në një takim të parë, pjesa më e madhe e njerëzve krijojnë një gjykim për nivelin e inteligjencës. Antropologia Helen Fisher shpjegoi se njerëzit e kuptojnë menjëherë nëse keni një fjalor të pasur. Lloji i temave që diskutohen janë gjithashtu thelbësore, pasi të tjerët arrijnë të mësojnë rreth formimit të përgjithshëm dhe shkollimit. Një fakt interesant është se nëse vendosni syze gjatë takimit të parë ose bëni kontakt sy më sy me personin tjetër, perceptoheni si më inteligjentë. Në botën e sotme digjitale, takimet e para virtuale duhen marrë po ashtu parasysh. Nëse gjatë komunikimit të parë me një person, nuk përdorni gramatikë të saktë ose bëni shumë gabime ortografike, përshtypja e parë nuk do të jetë shumë pozitive.
Vetëbesimi
Fisher shpjegon se vetëbesimi dallohet që në prezantimin e parë me dikë. Studimet tregojnë se njerëzit që buzëqeshin me sy, kanë një shtrëngim dore të fortë dhe flasin ngadalë duken më me vetëbesim se të tjerët. Thelbësore është gjithashtu të qëndroni me trupin drejt, kokën lart dhe të mos ndërprisni të tjerët gjatë bisedës. Këta shihen po ashtu si faktorë që ndikojnë në krijimin e perceptimit se jeni një person me vetëbesim të lartë. Sipas Fisher, ky tipar është i lidhur edhe me stabilitetin emocional dhe ndikon në marrëdhëniet që krijojmë me të tjerët. Nëse nuk ndihemi mirë me veten, energjia që do të transmetojmë nuk do të jetë pozitive./Living/