Duket sikur femrat nuk gjejnë kurrë qetësi kur bëhet fjalë për flokët. Dëshira e vazhdueshme për të ndërruar prerje dhe ngjyrë, shoqëruar me problematikat serioze si rënia e flokëve, trajtimet kundra zbokthit, flokët e dobët, të yndyrosur apo majat dyshe dhe flokët e thatë vazhdojnë të ”torturojnë” çdo femër. Duke u ndalur tek flokët e thatë, duhet thënë që ardhja e pranverë-verës e thekson më shumë këtë problem.
Ekspozimi në diell, toksinat e ambientit, përdorimi i produkteve jo cilësorë janë ndër faktorët kryesorë që i bëjnë flokët tuaj të duken të thatë. Kjo ndodh pasi folikulat nuk arrijnë të përthithin mjaftueshëm lagështinë dhe ushqyesit natyralë që u envojiten flokëve për të qenë të shëndetshëm.Living ju propozon një maskë të thjeshtë që do ju habisë me rezultatet e menjëhershme.
Përbërësit: 1 banane e pjekur mirë, 1 limon i shtrydhur dhe një lugë çaji vaj kokosi gjysmë i shkrirë.
Pasi të keni qëruar bananen, shtypeni me pirun derisa të formohet një masë pureje. Shtoni në të lëngun e limonit të shtrydhur dhe vajin e kokosit. Pasi masa të jetë bërë homogjene dhe kremoze, aplikojeni në flokë, ( flokët duhet të jenë paraprakisht të njomur me ujë të vakët). Pasi keni aplikuar maskën nga rrënja gjer tek majat, lëreni të pushojë për 30-60 minuta.
Ky trajtim duhet përsëritur 2-3 herë në javë. Ai jo vetëm i hidraton flokët dhe eleminon majat dyshe, por i bën më të fortë, me më shumë shklqim dhe shërben gjithashtu për të ruajtur gnjyrën për një kohë të gjatë. Vitaminat A, C dhe E të gjetura si tek limoni dhe banania, rregullojnë pH-in e skalpit të kokës, favorizojnë prodhimin e kolagjenit i cili sjell lagështinë e nevojshme për t’i ushqyer flokët dhe për t’i bërë më të fortë.