Dalëngadalë po i afrohemi stinës së verës që është e mbushur plot me ngjyra të ndezura si roza, e verdha, jeshilja e gurëkali të cilat i shohim te shumë veshje, manikyrë dhe aksesorë. Këtë vit, duket se trendi më i ri i manikyrëve është i frymëzuar nga portokallia e bukur e perëndimit të diellit si dhe nuanca të tjera të ngjashme me të. Nëse dëshironi të dukeni sikur sapo keni dalë nga një koncert epik i “Coachella-s”, këto modele janë perfektet për ju. Thonjtë portokalli janë tendenca më “IN” pasi secila nga mund të zgjedhë nuancën që i përshtatet më së miri me nën-tonin e lëkurës si dhe aksesorët të cilët vendosni. Duke mos qenë një ngjyrë primare, portokallia është e veçantë dhe ju jep mundësinë të shprehni individualitetin duke qenë sa më kreativë. Meqenëse periudha e plazhit nuk ka nisur ende dhe nuk kemi marrë akoma ngjyrë, portokallia në nuancën e pjeshkës është idealja. Me të do të dukeni të ëmbla dhe natyrale.
Më vonë, pasi të keni marrë pak ngjyrë, portokallia në nuancën e koralit është e duhura për ju. Ju sugjerojmë të vendosni edhe pak xixa në mënyrë që thonjtë tuaj të bien në sy dhe të duken sa më të ndritshëm.
Nëse doni të rrezikoni dhe ju pëlqen të eksperimentoni me ngjyra akoma më të ndezura, provoni portokallinë neon. Kjo nuancë kombinohet bukur nëse visheni me ngjyra neutrale si e zeza, grija dhe e bardha.
Nëse nuk doni që thonjtë tuaj të jenë vetëm në një ngjyrë dhe kaq të thjeshtë, mos u shqetësoni. Kemi sugjerimet perfekte edhe për ju. Mund të provoni të bëni një efekt “ombre” me anë të një manikyri portokalli dhe rozë. Ky disajn jep fiks ndjesinë e perëndimit të diellit. Një tjetër kombinim mjaft i këndshëm është edhe bashkimi i portokallisë me të verdhën.
Përveç efektit të mësipërm, mund të provoni edhe vizatimet në thua. Një ndër modelet më të pëlqyera për muajin e fundit në platformën “Pinterest” është disajni me vizatime palmash dhe kaktusesh.