Nis tradita e festivalit Dimal Fest, Ministri Klosi dhe kryebashkiakja Memaj shpalosin prioritet për Bashkinë me emërtimin e ri
Zyrtarizimi i emrit të ri nga Ura Vajgurore në bashkia Dimal, bëri bashkë qindra qytetarë dhe yjet më të mirë të muzikës në një koncert të jashtëzakonshëm ku u shpalos programi i turizmit dhe investimet që do të bëhen për rijetëzimin e kësaj bashkie.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se krahas infrastrukturës, një vëmendje të veçantë do të marrë dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës. “Do na duhet shumë që ta transformojmë këtë qytet që ka kaq shumë djem dhe vajza, të cilët duhet të kuptojnë që këtu e kanë jetën këtu do e ndërtojnë jetën e tyre. Shumë faleminderit Juli për këtë që ke bërë për këtë qytet, një qytet që është transformuar krejtësisht, por që ka shumë nevojë të hapen më shumë vende pune, të sigurojë më shumë mirëqenie. Natyrisht të jetë një qytet më i fortë. Prandaj ju premtojmë që Dimalin do të duhet që të gjithë së bashku ta promovojmë ta forcojmë dhe ta çojmë aty ku e ka vendin”, deklaroi ministri Klosi.
Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, theksoi se ndryshimi i emërtimit të bashkisë është vetëm një prej elementëve kryesorë të planit strategjik të zhvillimit dhe se puna do të vijojë më tej për rijetëzimin dhe zhvillimin e qytetit. “Ka qenë një iniciativë e gati 2 viteve ku aktorë dhe faktorë të ndryshëm luajtën këtë rol dhe më në fund ne kemi sot emrin Bashkia Dimal. Ndaj desha të falenderoja në veçanti ministrin Klosi, deputetin e zonës, i cili bëri të mundur çuarjen e propozimit të këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithashtu gjithë komunitetin e mrekullueshëm të bashkisë Dimal dhe këshillin bashkiak. Të gjithë kanë një falenderim të veçantë që ne sot kemi këtë emër tepër dinjitoz që tregon traditë, histori, kulturë. Në fakt ne kemi dhe sfida të tjera përballë. Ndryshimi i emrit të bashkisë është vetëm një prej elementëve kryesorë të planit strategjik të zhvillimit. Ne do të vazhdojmë me sfidat e reja, atë të rijetëzimit të Dimalit dhe brandimin e produktit sezonal”, – tha kryebashkiakja Memaj. Sipas saj, një Dimal tjetër do të zhvillohet nga të rinjtë e këtij qyteti dhe për të rinjtë e këtij qyteti.
Ministri Klosi dhe kryebashkiakja Memaj përuruan edhe instalacionin e ri të qytetit “I love Dimal”. Gjatë vitete të fundit, bashkia Dimal ka njohur një sërë investimesh, ku një nga më madhorët ka qenë dhe rijetëzimi i qendrës së qytetit, duke e kthyer atë në një atraksion turistik. Pas përurimit të statujës “Djaloshi i Dimalit” në Urën Vajgurore, simbol ky i këtij qyteti, u bë i mundur dhe rehabilitimi i qendrës së qytetit. Muralet e artistëve të njohur ndërkombëtar bota i kanë dhënë ngjyra qytezës së vogël duke rritur numrin e turistëve të huaj dhe duke hapur një perspektivë të re zhvillimi.