Numri i netëve të pushimit të shitura për turistët e huaj ra me 58% në tremujorin e tretë të këtij viti në krahasim me vitin paraardhës për shkak të mbylljes së kufijve dhe pakësimit të turistëve nga pandemia e koronavirusit të ri, por zëvendësimi i supozuar i turistëve të huaj nga turistë vendës që në vitet e shkuara kanë preferuar vende të huaja për pushime duket se nuk ka ndodhur. Sipas të dhënave statistikore, netëqëndrimet e shitura për turistët vendës ranë me 9.2%.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi rezultatet e Anketës së Turizmit, në të cilën, bizneset e sektorit pyeten për ecurinë e biznesit. Sipas rezultateve të anketës të publikuara në faqen e internetit të INTSTAT [Link], norma mesatare e zënies së hoteleve ra në një nivel edhe më të ulët se sa një vit më parë.

“Gjatë këtij tremujori, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 19,2 %, kundrejt 38,2 % që ishte në tremujorin e tretë 2019,” shkruan INSTAT në raportin e vet.

Shqipëria realizon zakonisht të ardhura nga turistët e huaj ndërsa një pjesë e shqiptarëve shpenzojnë për turizëm në vende të tjera, kryesisht Turqi e Greqi. Pandemia e koronavirusit mbylli kufijtë për pjesën më të madhe të shqiptarëve që nuk patën mundësi të udhëtojnë për pushime jashtë Shqipërië si dhe për një pjesë të konsiderueshme të të huajve, të cilët nuk preferuan të udhëtojnë në kohë rreziqesh të larta shëndetësore. Industria e turizmit kërkoi ndihmë nga qeveria për të përballuar krizën, por kryeministri Edi Rama deklaroi në një rast se kriza në sektorin e turizmit nuk kishte rezultuar aq e madhe sa pritej për shkak të turizmit të brendshëm.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

“Konstatoj me kënaqësi se ka pasur shumë turistë dhe frekuentime këtë vit, si turizëm të brendshëm ashtu edhe patriotik”, deklaroi Rama, duke iu përgjigjur negativisht kërkesës për paketë ndihmash. Të dhënat e INSTAT duket se tregojnë se në fakt nuk ka pasur më shumë turistë, as të huaj dhe as të brendshëm.(BIRN)