Akupunktura, një praktike e lashtë shërimi e vendeve të Lindjes, mund të përgjysmojë numrin mujor të sulmeve ditore të dhimbjes së kokës tek njerëzit që vuajnë nga tensioni.
Kjo u zbulua nga hulumtimi i botuar në revistën Neurology dhe i kryer nga Ying Li, i Universitetit të Mjekësisë Tradicionale Kineze në Chengdu.
Dhimbja e kokës e tipit që vjen nga problemet me tensionin shoqërohet shpesh me një ndjenjë presioni ose tensioni në të dy anët e kokës, me intensitet të lehtë ose mesatar dhe konsiderohet kronike kur shfaqet për të paktën 15 ditë në muaj.
“Dhimbja e kokës e tipit tension është një nga dhimbjet më të zakonshme të kokës”, tha Li. “Studimi ynë zbuloi se akupunktura redukton numrin mesatar të ditëve të dhimbjes së kokës në muaj për ata që luftojnë me këto sulme të dhimbshme dhe të bezdisshme të dhimbjes së kokës.”
Studimi përfshiu 218 njerëz të cilët u diagnostikuan me dhimbje koke kronike shkaktuar nga tensioni. Pacientët kishin dhimbje koke për një mesatare prej 11 vitesh dhe kishin dhimbje koke mesatarisht 22 ditë në muaj.
Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe, njëri merrte akupunkturë të vërtetë, tjetri akupunkturë me placebo, me aplikim me gjilpërë vetëm sipërfaqësisht.
Të dy grupet iu nënshtruan dy ose tre seancave në javë, për një total prej 20 seancash, për dy muaj dhe u ndoqën për gjashtë muaj të tjerë. Të gjithë pjesëmarrësit iu nënshtruan vizitave klinike çdo katër javë. Ata përdorën gjithashtu një ditar dhimbje koke për të regjistruar simptomat dhe përdorimin e medikamenteve për të menaxhuar sulmet.
Rezultati kryesor i matur në studim ishte një reduktim prej të paktën 50% në numrin e ditëve të dhimbjes së kokës (përgjysmuar). Në fund të studimit, 68% e njerëzve që morën akupunkturë të vërtetë raportuan një reduktim prej të paktën 50% në numrin mujor të ditëve të dhimbjes së kokës, krahasuar me 50% të njerëzve që morën akupunkturë me placebo. Studiuesit zbuluan se numri i ditëve mujore të dhimbjes së kokës u ul gradualisht pas trajtimit në të gjithë kampionin.
Për ata që morën akupunkturë të vërtetë, ditët e dhimbjes së kokës u ulën nga 20 ditë në muaj në fillim të studimit në shtatë ditë në muaj në fund të studimit.
“Ky studim tregoi se akupunktura mund të zvogëlojë dhimbjet e kokës, por nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar efektivitetin afatgjatë të akupunkturës dhe se si ajo krahasohet me opsionet e tjera të trajtimit,” tha Li.
Akupunktura është një sistem i lashtë i shërimit, që u zhvillua si pjesë e mjekësisë tradicionale të Kinës, Japonisë dhe vendeve të tjera të Lindjes. Përhapja e saj në Perëndim ka qenë relativisht e ngadaltë, por e qëndrueshme dhe në vitet e fundit, akupunktura ka gjetur rritje në praktikën e mjekësisë perëndimore, veçanërisht në lehtësimin e dhimbjeve.
Teoria mbi të cilën ngrihet akupunktura është se stimulimi i zonave të veçanta në lëkurë, ndikon në funksionimin e organeve të caktuara të trupit./ANSA