Avokati i ri i Popullit Naser Ziberi, i cili ka qenë kandidat për kryeministër nga radhët e BDI-së, në një intervistë për “Klan Macedonia” ka folur në lidhje me kandidimin e tij për kryeministër dhe në fund zgjidhjen e tij si Avokat i Popullit.
Ziberi tha se nuk ka qenë pjesë e diskutimit se ku do të përfundojë ai pas zgjedhjeve, duke thënë se pozita e tanishme e tij është si pasojë e negociatave për formimin e shumicës parlamentare, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Çështja e kryeministrit është produkt i zgjedhjeve dhe negociatave për formimin e shumicës parlamentare. Pas përfundimit të zgjedhjeve u arrit marrëveshje në mes LSDM-së dhe BDI-së, sipas të cilës tre muajt e fundit të mandatit kryeministri do të jetë kandidat i BDI-së. Kjo bëri që unë të mos marr pozitën e kryeministrit dhe të gjendem në pozitën që jam”.
“Kam besuar në shpjegimet që i ka dhënë Ali Ahmeti dhe të cilat kanë qenë argument i mjaftueshëm, që unë ta pranoj nominimin për kryeministër. Por, pozicionet ndërtohen në tavolina dhe prodhojnë rezultate të tjera”.
“Nuk ka qenë pjesë e diskutimit që të jem Avokat i Popullit, pas përfundimit të zgjedhjeve. Ne kemi hyrë në garë me bindje të plotë për pozitën e kryeministrit, pa e determinuar me kohë, një vjet, dy ose më shumë”, tha në mes tjerash Ziberi.
I pyetur në lidhje me premtimet e tij parazgjedhore, ai tha se nuk është e rëndësishme nëse ai do të jetë ose jo kryeministër, por e rëndësishme është që ai të jetë shqiptar, me kapacitete dhe resurse të mjaftueshme./Telegrafi/
The post Ziberi: Nuk jam vegël politike, pozita e tanishme e imja erdhi si pasojë e negociatave politike appeared first on Telegrafi.