Nxënësit e Shkollës Fillore “Todor Janev” në Çashkë, prej nesër i kthehen procesit mësimor. Nga Qeveria njoftojnë se është gjetur zgjidhje për të vazhduar procesin arsimor në këtë shkollë për të gjithë nxënësit, edhe atë në gjuhën e tyre amtare.
Mësimi për të gjithë nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillohet përkohësisht në objektin ekzistues, gjegjësisht deri në fund të vitit shkollor dhe sipas programeve të përshtatura për të përvetësuar materialin që është lëshuar për shkak të mos mbajtjes së orëve në periudhën e kaluar.
“Zgjidhja e këtij problem të madh, që në formë të marrëveshjes është nënshkruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, kryetari i Komunës së Çashkës dhe drejtorit të shkollës, parashikon rikthimin e kompetencave të kryetarit të komunës në menaxhimin e shkollës nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe ndërtimin e objektit të ri shkollor, si zgjidhje e përhershme e sfidës që vuri në pikëpyetje arsimimin e nxënësve të kësaj komune në gjuhën amtare”.
“Ndërtimi i objektit do të jetë përgjegjësi e përbashkët e Ministrisë dhe Komunës. Çashka do të nisë iniciativë për themelimin e një subjekti të ri juridik, do të sigurojë lokacionin dhe dokumentacionin e plotë urbanistik dhe të planit, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të sigurojë mjete financiare dhe do e realizojë projektin e infrastrukturës. Shkolla e re duhet të ndërtohet deri në fund të vitit aktual kalendarik”.
Ndryshe, prindërit maqedonas për muaj me radhë kanë bllokuar hapjen e paraleles për nxënësit shqiptar në shkollën “Todor Janev” në Çashkë, me çka edhe kanë pamundësuar procesin arsimor të nxënësve shqiptar këtë vit akademik.
Ata me protesta kanë bllokuar hyrjen drejt komunës dhe objektit të shkollës, madje ka pasur raste kur edhe kanë sulmuar gazetarët të cilët kanë raportuar për këtë problematikë./Telegrafi/
The post Zgjidhet problemi me nxënësit shqiptarë në Çashkë, deri në fund të vitit duhet të ndërtohet shkollë e re appeared first on Telegrafi.